Procedimi i projektligjit të “Trepçës” për miratim në Kuvendin e Kosovës ka bërë që punëtorët e Trepçës, në pjesën veriore të Mitrovicës, të bllokojnë për një orë rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë dhe përreth hapësirës së flotacionit të “Trepçës” në Leposaviq, duke shprehur ‘pakënaqësinë e tyre.
Disa qindra punëtorë kanë bartur flamujt e Serbisë dhe të kombinatit “Trepça”, si dhe pankartat me mbishkrimet “Ligji nuk kalon” dhe “Trepça punon, populli jeton”.
Dragisha Milojkoviq, punëtor në Metalurgjinë e çelikut, në emër të Sindikatës tha se me ligj po kërkohet që të përvetësohet, siç tha, “pasuria e shtetit të Serbisë”.
Ndërkohë, drejtori i sektorit të energjetikës në “Trepçë”, Dragoslav Milosheviq, tha se me paralajmërimin e futjes në rend të ditës në Kuvendin e Kosovës të ligjit për “Trepçën” është shkaktuar shqetësim dhe frikë në mesin e 3 mijë të punësuarve në “Trepçë” në pjesën veriore të Kosovës.
Ai propozoi që çështja e “Trepçës” dhe i të gjitha ndërmarrjeve tjera shoqërore të futet në kuadër të çështjeve pronësore dhe me urgjencë të jetë pikë e rendit të ditës në Bruksel, dhe që në bisedime të gjendet një zgjidhje e pranueshme për palët relevante.
Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se protesta e minatorëve serbë në veri të Kosovës kundër projekt-ligjit për “Trepçën” është e pa nevojshme.
Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se ligji në tërësi është në të mirën e punëtorëve të “Trepçës” dhe të shtetit.
“Ne konsiderojmë se nuk ka kurrfarë nevoje për çfarëdo proteste ndaj këtij projekt-ligji. Përkundrazi, mendojmë se ky projektligj, i cili ka kaluar nga Qeveria dhe do të procedohet tutje në Kuvend, është në çdo aspekt për kompaninë ‘Trepça’, i dobishëm për të gjithë“, tha Abdullahu.
Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend një ligj të veçantë për kompleksin e minierave “Trepça”, me qëllim të revitalizimit dhe rikthimit në treg.
Projektligji pritet që të miratohet në lexim të parë në seancën e nesërme, përkundër paralajmërimeve të deputetëve serbë që ta kundërshtojnë atë.
Ndryshe, protesta e punëtorëve të Trepçës në veri përfundoi e qetë, me paralajmërimin e vazhdimit edhe në ditët e ardhshme, deri në realizimin e kërkesave të tyre. /tesheshi.com/