Raporti i ekipit europian të Task-Froce që është instaluar në Shqipëri prej dy vitesh, ka paraqitur në mënyrë të detajuar kurbën e sjelljes 4 vjeçare të shtetit shqiptar me kulturën e gjelbër narkotike të mariuanës, që nga “pushtimi” i “kështjellës” së Lazaratit dhe më pas ngritja e çuditshme e disa “principatave” të vogla në shumë pjesë të vendit, të cilat u ngritën për dy vjet dhe prodhuan një sasi të madhe kanabisi, që mendohet se ruhet ende nëpër sgëqet e vendit, pasi nuk ka gjetur mundësinë e shitjes.
Në mënyrë të plotë, ndërkombëtarët kanë pasqyruar shumëçka: shkaqet, pasojat, por edhe ata që ose e ndihmuan ose nuk e penguan një kanabizim masiv.
Raporti thekson se ka pasur informacione të përfshirjes së disa oficerëve të policisë në komisariate të vendit, që jo vetëm që kanë mbyllur sy, para kultivuesve dhe nuk hartuan kurrë një raport zyrtar, por edhe në raste kur ka pasur sinjalizime, ata kanë fshehur dhe mbrojtur njerëzit e hashashit, kryesisht protektorë të fuqishëm në terren.
Por, siç bën të ditur një burim i rëndësishëm i tesheshi.com në një agjenci të rëndësishme ligjzbatuese, raporti ndërkombëtar nis e bëhet më i nxehtë në këtë pikë kur thotë se një pjesë e mirë e oficerëve që bashkëpunuan me trafikantët, edhe pse patën specializime nuk u larguan nga detyrat.
Edhe kur u larguan, ata u kthyen sërish në punë.
Dhe këtu, raporti thekson se Policia e Shtetit në Shqipëri është një organ i centralizuar, ku të gjitha vendimet i merr në mënyrë vertikale nga Drejtori i Përgjithshëm.
Edhe një komision vlerësimesh që ka ekzistuar përpara, tani nuk është më si organ.
Megjithëse ndërkombëtarët vlerësojnë përgjithësisht rolin e kreut të policisë Çako, ata ngrenë çudinë sesi kanë shpëtuar disa elementë të policisë që janë emëruar në pozicione kyçe gjatë kohës së pikut të kultivimit të kanabisit.
Raporti thekson se pas emërimit të Fatmir Xhafës si Ministër i Brendshëm, nisi edhe lëkundja e statukuosë mbi emrat që ishin dyshuar si bashkëpunotërë me kultivuesit e hashashit.
Pikërisht kjo pikë vë në dyshim pikërisht rolin e Çakos në procesin e emërimit.
Vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi para tre muajsh në Top Story se oficerë të rëndësishëm të policisë janë përfshirë në raportin me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, ndaj paralajmëroi një vetting në polici.
“Individë të veçantë të policisë janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë qenë pjesë e këtij presioni që është ushtruar nga grupet kriminale. Është blerë, ose heshtja, ose bashkëveprimi i tyre në territor. Mendoj që edhe disa nga drejtuesit e policive vendore kanë heshtur për këtë gjë”, deklaroi Fatmir Xhafaj në intervistën për Sokol Ballën.
Pas kësaj Xhafa shkriu totalisht tre komisariate policie, si atë të Kurbinit, të Përmetit dhe të Skraparit.
Por mirë, nga mbinë të gjithë këta drejtues e zyrtarë policie që erdhën e u lidhën ngushtë me trafikantët?
Pse s’u verifikuan kur PD-ja, çdo ditë bënte konferenca shtypi ku akuzonte jo vetëm Saimir Tahirin por edhe oficerë policie për lidhje me trafikantët dhe asgjë nuk u bë.
Para dy ditësh Drejtori i Policisë Haki Çako, deklaroi se kanabisi tashmë është zhdukur plotësisht. Por kush e solli atë? Çako ka qenë sërish edhe në kulmin e kultivimit të kanabisit.
Të paktën, do të duhej të vendosej zyrtarisht pika mbi “i” nëpërmjet ndarjes së përgjegjësive përkatëse në Policinë e Shtetit, kur realisht nuk ka ndryshuar asgjë në kupolën e lartë të saj.
Raporti ndërkombëtar, duke analizuar përgjegjësitë e luftës ndaj kanabisit, thekson se “për kultivimin e cannabis cativa në territorin e Shqipërisë, përgjegjësinë e ka Policia e Rendit, e cila duhet të ndjekë çdo ditë me raport zyrtare situatën në terren. Ndërkohë trafikimi i lëndëve narkotike tashmë jo bimë, por drogë e tipit mariuanë e përpunuar nga Shqipëria jashtë, është atribut i Drejtorisë së Antitrafikut në veçanti dhe natyrisht i Drejtorisë së Hetimit të Krimit.
Drejtori i luftës së Narkotikëve që ka shërbyer për mbi 3 vjet tashmë është ngritur në përgjegjësi në postin e numrit dy të Policisë së Shtetit”.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pritet që të nisë një ndryshim të thellë në Policinë e Shtetit sapo të nisë punën kur qeveria të marrë votëbesimin në Kuvendin e ri.
Por gjithmonë ndryhsimet që kanë sjellë krerët politikë të institucioneve, kanë pasur vetëm zëvendësimin e një linje “klientele” me një tjetër, duke lëvizur “kastat” sipas konjukturës politike, ndërkohë që oficerët që janë jashtë klaneve nuk bëjnë kurrë karrierë por mbesin si “top futbolli” duke lëvizur sa andej e këtej… /tesheshi.com/