“Mendova të kryeja vetëvrasje”. “Është e pamundur për mua të jetoj pa ilaçe dhe vuaj nga sulme paniku”, tha shkrimtari dhe gazetari i njohur italian Roberto Saviano për gazetën Corriere della Sera.
Siç dihet tashmë, ai konsiderohet si simbol i luftës kundër mafies napolitane, i bërë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2006 me librin e tij “Gomorrah”.
“Kam ndjesinë se i bëra të gjitha gjërat gabim. E ndjeva disa ditë më parë, në funeralin e tezes sime Silvana, e cila ishte si një nënë e dytë për mua. Askush nuk erdhi. Familja ime, që jetonte në Jug, në qytetin e Casertës, u detyrua të shkonte të jetonte në Italinë veriore, dhe për shkakun tim. Ata u shkulën nga shtëpia”, theksoi shkrimtari italian.
“Ata që më akuzojnë se po e turpëroj Napolin duhet ta mendojnë këtë: meqenëse unë e turpëroj atë, pse duan të vijnë ta vizitojnë nga e gjithë Italia? Ndeza një prozhektor, ndriçova Napolin. Dhe me dritë, ndryshimi është i mundur. Jeta shpërtheu. Por kjo më imponon një çmim shumë të lartë”, shtoi Saviano.
Në intervistën e tij me Corriere della Sera, ai theksoi gjithashtu se “ndjen peshën e vetmisë” dhe shtoi: “në të kaluarën, me sulmet ndaj një shkrimtari, autoritetet rrezikonin të përqendronin vëmendje të madhe tek ai. Sot nuk është kështu. Në Turqinë e Erdoganit, një shkrimtar, Ahmet Altan, dënohet me burgim të përjetshëm, por ky fakt nuk ngjall interes për romanet e tij.”
Shkrimtari italian, simbol i luftës kundër krimit të organizuar, zbulon se “ajo që i mungon më shumë është liria e lëvizjes”, diçka që “ndikon në të gjitha marrëdhëniet e tij miqësore dhe romantike” pasi “të gjitha takimet e tij duhet të zhvillohen brenda shtëpisë dhe, kur del, shoqërohet nga pesë ose edhe shtatë karabinierë, të cilët i janë caktuar si truproja”.
“Në natën e Pashkëve, miqtë dhe të afërmit qëndruan me mua deri në orën 7 të mbrëmjes dhe pastaj dolën dhe qëndruan jashtë, në rrugët e Napolit, deri në orën 4 të mëngjesit, dhe ia dolën shumë mirë. Qëndrova vetëm në shtëpi, si simbol i ekzistencës sime”, shpjegoi Roberto Saviano.
Lidhur me të ardhmen e tij, gazetari dhe shkrimtari italian përfundon: “Po mendoj për një vetvete tjetër: të jem në gjendje të udhëtoj, plot flokë, me një emër tjetër. Mora një patentë drejtimi motoçiklete, por nuk mund ta ngas. E bëra vetëm në Zvicër, verën e kaluar, dhe ishte fantastike. Tani do të marr një patentë për të drejtuar kamionë. Ëndërroj të jetoj si shkrimtari italian Erri De Luca, i cili shkoi në Jugosllavi, gjatë luftës, duke drejtuar një kamion plot me ushqime.” /tesheshi.com/