Nga Blendi Gashi
Krerët e partisë “Aleanca Kosova e Re”, një forcë kjo që drejtohet nga Behgjet Pacolli, edhe pse janë betuar se nuk do lidhin koalicion paszgjedhor me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, ditëve të fundit gjithnjë e më shumë po afrohen me ta.
Dhe njeriu më meritor për këto takime është Sami Lushtaku, kryetari i Skënderajt, i cili sapo doli nga burgu ka nisur të sjellë edhe frytet e para të bashkëpunimit AKR-PAN.
Lushtaku i cili njihet për ndikimin e fortë në PDK, gjatë ditës së martë ka pritur në zyrën e tij nënkryetarin e AKR-së, Agim Bahtiri. Ky i fundit ka mohuar që të kenë biseduar për formimin e qeverisë duke thënë se Lushtakun e ka mik të mirë dhe e ka takuar për ta uruar për lirimin nga burgu.
Lushtaku nuk është ndalur me kaq. Ai të mërkurën ka bërë bashkë Rrahim Pacollin e AKR-së dhe Kadri Veselin në të cilin takim ka marrë pjesë edhe presidenti Thaçi.
Takimi u realizuar në një prej restoranteve në Prishtinë, ku edhe pse konkrërisht nuk dihen temat e bisedës mes tyre, nuk është e vështirë të kuptohet se PAN po tenton në çdo mënyrë të sigurojë votat e deputetëve të AKR-së dhe ta marrë dhe këtë subjekt në qeveri.
Krejt çfarë ka thënë Pacolli për takimin në fjalë është: “Veç jemi taku miqësisht për një kafe”.
Shtohet pyetja: pse ky drejtues i lartë i AKR-së nuk po takohet miqësisht për një kafe me drejtues të LDK-së apo të Vetëvendosje-s dhe të flasin për mundësinë e bërjes së qeverisë nëse dështon PAN, apo edhe për të bërë një opozitë të fortë?
Sigurisht se përtej kafesë në tavolinë janë shtruar edhe tema të ndryshme, pse jo edhe një ofertë drejtuar AKR-së për të hyrë në qeveri.
Ja pse Behgjet Pacolli mund t’i bindet Lushtakut
Padyshim se PAN ka gjetur njeriun e duhur për të ndikuar tek Pacolli kur dihet se ky i fundit nuk i ka marrëdhëniet aq mirë me krerët e PDK-së. Sami Lushtaku është njeriu që mori rrugën nga Skënderaj drejt Kuvendit në seancën kur Pacolli zgjidhej president.
Fare mirë dihet se një numër jo i vogël i deputetëve të PDK-së ishin kundër që Pacolli të bëhet kryetar shteti. Dhe ishte pikërisht Lushtaku që më pas ndryshoi duke bindur bashkëpartiakët e tij të japin votën për.
Duke mos harruar assesi se falë Lushtakut u ul në karrigen e Presidentit, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, Pacolli shumë lehtë mund t’ia kthej shpinën LDK-së dhe t’i bashkohet PDK-së në qeverisje përkundër se vazhdon ta mohojnë këtë gjë.
Padyshim se ditët në vazhdim do jenë përcaktuese dhe do tregojnë qartë nëse Lushtaku do jetë “mësiti” i një “martese” të mundshme mes AKR-së dhe PAN-it.
Kreu i AKR-së deri më tani ka heshtur për këto takime të zyrtarëve të tij me drejtues të PDK-së dhe nuk është çudi që për një moment të dalë personalisht të thotë se po i bashkohet Veselit e Haradinajt në qeverisje sigurisht “për të mirën e vendit” dhe jo për interesa personale apo partiake, ndërsa si zakonisht akuzat harrohen për “tortën e pushtetit”.
Portali ynë ka tentuar të marrë një përgjigje nga drejtues të AKR-së, por zv.presidentja Albena Reshitaj dhe Jetlir Zyberi këshilltar i Behgjet Pacollit nuk kanë hapur telefonin edhe përkundër thirrjeve telefonike. /tesheshi.com/