“Më kërcënon një dënim me burg prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet”, shkroi ministri i brendshëm italian në Twitter.
Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini tha të enjten se gjykata speciale rekomandoi që ai të gjykohej sepse nuk i lejoi 150 emigrantëve të largoheshin nga një anije shpëtimi vitin e kaluar.
Gjykata, e cila shqyrton hetimet që përfshijnë ministrat në qeverinë italiane, hodhi poshtë një rekomandim të mëparshëm nga prokurorët për të hequr dorë nga kjo ngjarje me ngjyrë politike, shkruan Reuters.
“Më kërcënon një dënim me burg prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet, sepse nuk u lejova emigrantëve të paligjshëm të hyjnë në Itali. Nuk kam fjalë”, shkroi Salvini, kreu i LEGA-s, njëherësh nr.2 i qeverisë italiane.
“Unë i kërkoj popullit italian: a duhet të vazhdoj të jem një ministër, të ushtroj të drejtat dhe detyrat e mia, apo duhet ta kërkoj që një gjykatë të vendosë mbi politikën e emigracionit?”, tha ai.
Pas vendimit të gjykatës, dhoma e sipërme e parlamentit italian, Senati, do të thirret për të vendosur nëse Salvin mund të gjykohet, shpjegon agjensia britanike.
Një hetim u nis muajin e kaluar kundër Salvinit, duke pretenduar shpërdorimin e pushtetit dhe mbajtjen e njerëzve kundër vullnetit të tyre pasi ai nuk pranoi të lejonte anijen e Rojes Bregdetare italiane që të zbarkonte një grup emigrantësh eritreas.
Në fund, këta emigrantë u lejuan të zbrisnin, por që atëherë Salvini i ka shtrënguar masat dhe refuzon të lejojë ndonjë anije shpëtimi në portet italiane, duke thënë se vendet e tjera evropiane duhet t’i marrin ato. /tesheshi.com/