Qytetarët e disa vendeve të rajonit presin me dekada të përjetojnë përfitimet e lidhjes më të shpejtë që sjellin autostradat dhe korridoret moderne. Pavarësisht nëse janë seksione në një vend ose të tilla që ofrojnë lidhje ndër-shtetërore.
Arsyet e zgjatjes së përfundimit të tyre herë janë objektive dhe herë subjektive. Terrene të paarritshme, male, tunele, trase të dështuara, lëshime financiare, mangësi teknike…. Në vazhdim bëjmë një vlerësim të disa autostradave kryesore në Ballkan.
11 vite për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër
Autostrada Kërçovë-Ohër në Maqedoninë e Veriut është një nga rrugët që po ndërtohet për më shumë kohë. Kritikët thonë se nëse do të ndërtoheshin dy kilometra autostradë në vit që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 e deri më sot, autostrada Kërçovë-Ohër do të ishte gati deri më tani. Sipas dokumentacionit, ajo duhet të jetë me një gjatësi prej 57 kilometrash dhe nëse realizohen njoftimet e fundit, i gjithë projekti për autostradën do të zgjasë nga nëntë deri në 11 vite.
Duke marrë parasysh distancën mes dy qyteteve që duhet të lidhen dhe kohën e përfundimit të punimeve kjo është një lloj kurioziteti.
Ndërtimi filloi në vitin 2014 dhe ishte planifikuar të siguronte një lidhje më efikase me qendrën kryesore turistike në Maqedoninë e Veriut. Parashikimet fillestare ishin se do të ishte gati në vitin 2018, por u konstatuan lëshime në trase dhe afati i ndërtimit u shty deri në qershor të vitit 2021. Projeksionet e fundit të qeverisë thonë se autostrada duhet të jetë gati në vitin 2023. Aneksi i fundit i kontratës për ndërtim, të cilit i referohet ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, ka si afat të fundit vitin 2025.
Nga ana tjetër, autostrada Demir Kapija-Smokvica me një gjatë prej 28 kilometrash, e cila është pjesë e Korridorit 10, është në ndërtim e sipër tashmë gjashtë vite.
BeH ka 20 vjet që pret Korridorin C5
Korridori C5 me një gjatësi prej 338 kilometrash është ai për të cilin publiku i Bosnjë e Hercegovinës (BeH) deri më tani ka drejtuar shumë kritika ndaj disa garniturave qeverisëse. Përfundimi po zgjat më shumë se 20 vite dhe është e mundur të vonohet edhe gjashtë të tjera. Ideja është që BeH të lidhet më shpejt me Bashkimit Evropian (BE), respektivisht me Kroacinë dhe Detin Adriatik. Sipas parashikimeve të fundit, për këtë projekt të madh do të shpenzohen dy miliardë marka të konvertueshme ose rreth një miliardë euro.
Afatet po zgjatet vazhdimisht. Në vitin 2013, Damir Haxhiq, në atë kohë ministër i Transportit dhe Lidhjeve të BeH-së, njoftoi se projekti do të përfundonte në vitin 2020. Ish-drejtori i “Autostradave të BeH-së” në vitin 2015 deklaroi se do të duhej të pritet deri në vitin 2022.
Në fillim të vitit të kaluar, ministri Federal i Transportit, Denis Laziq, tha se përfundimi i Korridorit C5 mund të pritet edhe deri në vitin 2028.
Serbia për dy dekada përfundoi autostradën “Horgosh-Beograd-Preshevë”
Një nga projektet më të mëdha kapitale kur bëhet fjalë për Serbinë sigurisht është autostrada A1 ose e njohur si autostrada Preshevë-Horgosh. Ky seksion ka një histori që daton që nga koha e ish-Jugosllavisë kur pjesë të rrugëve të sotme ishin pjesë të autostradës Bratstvo-Edinstvo të ndërtuar në RSFJ.
Ideja e Serbisë, pas rënies së shtetit të dikurshëm, është lidhja e autostradës me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatësia e autostradës është rreth 580 kilometra.
Kilometrat e para të ndërtuara drejt kufirit të Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, ishin në vitin 1997. Pjesa Peçenjevce-Grabovica u vendos në funksion në vitin 2005. Në vitin 1997 vazhdoi ndërtimi i pjesës së lidhjes me Hungarinë.
Pjesa drejt Maqedonisë së Veriut deri në pikën kufitare Preshevë është e gjatë 121 kilometra. Ndërtimi ka përfunduar në vitin 2019, përkatësisht 22 vite pas fillimit të ndërtimit.
“Rruga e Arbrit” para përfundimit në Shqipëri
Autostrada “Rruga e Arbrit” është planifikuar të sigurojë një lidhje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatësia totale e autostradës do të jetë 72 kilometra. Ajo do të shkurtojë distancës midis Tiranës (Shqipëri) dhe Dibrës (Maqedoni e Veriut) për 100 kilometra.
Duke marrë parasysh terrenin e ndjeshëm për punime në pjesën e Shqipërisë përmes zonave malore me gjashtë tunele dhe katër ura, fakti që ndërtimi i autostradës ka nisur në vitin 2017 ndoshta nuk duket aq i tmerrshëm pasi pjesa në këtë vend është planifikuar të përfundojë në vitin 2022.
Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë projeksion se kur do të fillojnë aktivitetet për përfundimin e kësaj rruge. Vetëm kur të përfundojë edhe ajo pjesë mund të thuhet se autostrada e ka arritur plotësisht qëllimin e saj.
Kosovës iu deshën pesë vite për autostradën “Arbën Xhaferi”
Situatë e ngjashme është edhe lidhja e Maqedonisë së Veriut me Kosovën. Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën e Kosovës, që shkon në pikën kufitare Bllacë me Maqedoninë e Veriut, zgjati pesë vite. Kjo pjesë është me një gjatësi prej 65.5 kilometrash. Pjesë e autostradës, që është ndërtuar nga viti 2014 deri në vitin 2019, është edhe një nga urat më të gjata në grykën e Kaçanikut.
Deri këtu punimet ndoshta janë brenda kufijve të tolerancës për seksione të tilla. Por frenimi i realizimit të plotë të autostradës sërish vjen nga pala maqedonase, edhe atë vetëm për 14 kilometra nga Bllaca në Shkup, që sipas deklaratave të ish-kryeministrit Zoran Zaev duhet të ndërtohet deri në fund të vitit 2023. Kjo do të thotë se autostrada prej rreth 80 kilometrash nga të dyja anët do të jetë plotësisht gati për dhjetë vite. /TRT shqip/