Nga Blendi Gashi
Opozita kosovare po vzhdon rrugëtimin e përgjysmuar për ta rrëzuar qeverinë “Mustafa” nga pushteti, edhe pse një gjë të tillë nuk arriti ta bëjë për shtatë muaj sa ishin së bashku të tri partitë Vetëvendosje, AAK e NISMA për Kosovën.
Ish-komandantët e UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj po vazhdojnë “luftën”, ndaj ish-shokëve të tyre të PDK-së dhe LDK-së, partisë së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, pasi vlerësojnë se subjektet në fjalë më nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi dhe “Zajednicën” dëmtuan interesat e shtetit.
Protesta e organizuar të shtunën nga dy partitë në fjalë më shumë shihet në opinion si një mesazh ndaj Vetëvendosje-s se mund të organizojnë protesta masive edhe pa këtë lëvizje, si dhe për matje të fuqisë elektorale.
Por duke parë se Vetëvendosje aktualisht është motorri kryesor i protestave, gjë që është treguar në protestat e kaluara, është tejet e vështirë për të mos thënë e pamundur se AAK e NISMA me protestat e tyre që mund t’i mbajnë sërish, mund ta çojnë në shtëpi koalicionin qeverisës PDK-LDK, për çka nuk beson as kryeministri aktual Isa Mustafa i cili edhe një herë u shpreh se zgjedhjet do të mbahen në kohën e paraparë, pra në vitin 2018-të, pavarësisht protestave.
Pyetja shtrohet se cilat janë dallimet e protestës së organizuar nga opozita e bashkuar për shtatë muaj dhe protestës së organizuar të shtunënnga dy partitë e vogla opozitare pa Vetëvendosje-n, dhe sa mund ta rrezikojnë qeverinë protestat e opozitës së përgjysmuar?
Protesta tregoi (pa)fuqinë e AAK-së e NISMA-s
Analistët në vend, protestën e organizuar nga AAK e NISMA më shumë e quajnë si një miting elektoral, e thonë se protestat e tilla aspak nuk paraqesin rrezik për qeverinë.
Islam Krasniqi e pranon se protesta e djeshme ishte madhështore dhe e organizuar mirë, por me mangësi në drejtime të tjera.
“Dallimi në mes të protestës së kaluar, në të cilën ishte organizatore edhe Vetëvendosje qëndron në atë së VV-ja zakonisht protestat i shoqëron me dhunë që protesta të bie në sy me shumë, ndërsa protesta e AAK-së dhe NISMA-s për Kosovë ishte paqësore dhe u përcoll në mënyrë paqësore. Protesta e këtyre dy partive opozitare nuk mund të rrezikojë qeverinë, sepse Demarkacioni është kusht për liberalizimin e vizave dhe ka përkrahjen ndërkombëtare, ndërsa opozita ka mbetur e vetëm dhe e përçarë në ketë proces”, thotë Krasniqi.
Ja çfarë i distancon VV-në me AAK-në e NISMA-n
Njohësi tjetër i rrethanave politike në vend, Arsim Haziri thotë se protestat gjithnjë janë të mirëseardhura, por shton se në protestën e organizuar nga AAK e NISMA nuk u prodhuan efekte të fuqishme kundërshtuese.
“Konsideroj se shtrirja e presionit qytetarë përmes kundërshtimit fizik është përcjellur në numër jashtëzakonisht të vogël,pasi organizimi i protestave dhe menaxhimi i tyre fizik e intelektual nuk përbën traditë të vazhdueshme në rrjedhën e këtyre formacioneve politike,prandaj edhe masa kritike në aq numër e shprehur ishte e limituar. Konsideroj se protesta e thirrur nën kauzat e protestave të mëhershme, më shumë janë shfaqje të një pakënqësie minimale,duke i kthyer në kujtesë pretendimet për partneritet politike me secilin subjekt dhe pretendimit qytetarë se niveli opozitar nuk është zbehur tërsisht sesa që janë menduar ti bëjnë kundërshtim serioz dy kundërshtimeve”, thotë analisti Haziri.
Sipas tij, presioni qytetarë ka kuptim atëherë kur masa merr zgjerim të madh qytetarë dhe në këtë kënd edhe niveli politik.
“Ajo ҫfarë fundamentalisht e distancon Lëvizjen Vetëvendosjen dhe këtë trup opozitarë (AAK e NISMA-n), qëndron në faktin se VV protestën dhe jetësinë e saj i konsideron si element pozitiv dhe përcjellës madje ato qysh prej themelimit të saj ajo ngusht i posedon,dhe në këtë rrafsh ata zotërojnë menaxhim dhe strategji pozitive në zhvillimin e protestave. Ndërsa protesta e së shtunës ishte pikërisht pa këtë nivel pozitiv, që dukshëm bëri të kuptohej mugesa dhe kapaciteti i tyre intelektual e teknik”, thotë më tej Haziri.
Ndërsa Donik Sallova, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se protesta e së shtunës më shumë ishte një miting elektoral, ku çdo protestues/militant u kontaktua me telefon si në zgjedhje.
“Protestat dhe demostratat nxiten nga parulla e jo nga partia!”, thotë Sallova.
Ndryshe, dy partitë opozitare AAK e NISMA përveç që kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja nuk ka treguar nëse do të vazhdojë apo jo mbajtjen e protestave të tjera. /tesheshi.com/