Kërcënime të reja ndaj Bashkimit Evropian u lëshuan nga Ministria e Jashtme ruse, me një njoftim të publikuar në faqen e saj të internetit. Ajo akuzoi Unionin se “shikon në heshtje” shfarosjen e popullsisë në Donbass si dhe “mbytjen” e qytetarëve rusishtfolës në Ukrainë, ndërsa – siç thekson – injoroi thirrjet e vazhdueshme të Moskës pas “ngritjes së nazistëve në pushtet në Ukrainë.
Në lidhje me ndihmën ushtarake të ofruar nga shumica e vendeve të Bashkimit për Ukrainën, Moska thekson se “qytetarët dhe strukturat e BE-së, të përfshirë në furnizimin me armë vdekjeprurëse dhe karburant për Forcat e Armatosura të Ukrainës do të jenë përgjegjës për çdo pasojë të veprimeve të tilla në kontekstin e operacionit special ushtarak në vazhdim.”
Pasi theksohet se evropianët “nuk do të kenë sukses”, deklarata përfundon me kërcënime të reja: “Veprimet e Bashkimit Europian nuk do të mbeten pa një përgjigje të ashpër. Rusia do të vazhdojë të sigurojë realizimin e interesave të saj jetike kombëtare, pa marrë parasysh sanksionet dhe kërcënimet e saj. Është koha që vendet perëndimore të kuptojnë se dominimi i tyre i pandashëm në ekonominë botërore është zhdukur prej kohësh”. /tesheshi.com/