Mensur Krasniqi
Zanatet e kahmotshme po nisin të humbin dalëngadalë. Përpunimi i opingave, papuqeve, i zbukurimeve të tjera nga materiali i lëkurës, si dhe zanatet e leshit dhe bojaxhinjve, janë disa pej më karakteristikeve që me shumë vështirësi po figurojnë ende në Çarshinë e Vjetër. Dëshmitë që këto zanate janë në zhdukje e sipër bëhen të dukshme ndërsa zanatçinjtë e vjetër qajnë hallet, pasi brezat e rinj nuk tregojnë fare interes për ta trashëguar veprimtarinë tradicionale të familjes.
“Ne merremi me zanatin e babës, si zanatçi i opengave dhe pandufkave. Baba na ka dhanë një copë zanati, e ne tash, sa mos të rrimë kot, po punojmë. Nuk është kushedi se çfarë zanati, meqë me e kqyr të gjithë Maqedoninë i ke apo nuk i ke nja dhjetë dyqane që merren me këtë zanat. Ky zanat tashmë është kah fundi, sepse të rinjtë nuk e kanë për qejf zanatin, nuk ka më çirakë të rinj, nuk gjenden. Kohëve të fundit më shumë i marrim të gatshme, se i punojmë vet. Unë qe 15 vite merrem me këtë zanat, ndërsa në familjen tonë ekziston prej 65 vitesh. Më së shumti i përpunojmë opengat për valltarë, si dhe opengat për fëmijët e vegjël që fillojnë të ecin, sepse edhe mjekët po thonë që ato janë të shëndetshme për ecje,” rrëfen Rexhep Bajrami, zanatçi i opingave.
Ndërsa bojaxhiu Ekrem Neziri tregon se edhe pse ka mbetur i vetmi që e ushtron zanatin e tij në Çarshinë e Vjetër, prapëseprapë përfitimet prej tij janë minimale.
“Ne mirremi këtu me ngjyrosjen e tekstilit, dhe funksionojmë si bojaxhi. Ngjyrosim farmerka, jakne, bluzona dhe xhempera. Më parë kemi pasur shumë punë me harqe apo lesh, mirëpo tani leshi ka humbur, dhe nuk është në përdorim. Këtë profesion e kam trashëguar nga babai im, dhe unë prej në fëmijëri e kam mbjell këtë zanat, duke punu bashkë me të. Nuk është ajo punë që ka qenë më parë, mirëpo kur njeriu dashurohet me këtë zanat, nuk mundet me e lënë. Qe 35 vjet që punoj këtë zanat. Më parë ka pasur 5-6 bojaxhinj, por tash janë mbyllur krejt, vetëm unë kam mbet. Tash po punoj në atë drejtim që edhe djalit tim t’ia mbjell këtë zanat, sepse, tek e fundja, për një ekzistencë normale ka punë,” sqaroi bojaxhiu Ekrem Neziri.
Ai ndërkohë tregoi edhe mënyrën se si bëhet ngjyrosja e tekstilit me ndihmën e kazanëve të mëdhenj, duke përdorur qymyrin e drurit dhe naftën për nxehjen e ujit. Çka na lë të kuptojmë se deri te ngjyrosja përfundimtare e tekstilit është një mal me punë.
Të njëjtin fat e pret edhe zanatin e lëkurës dhe leshit, meqë, me përparimin e teknologjisë industriale, paralelisht po humbasin edhe prodhimet e punuara me dorë.
“Këtu gjithçka që shihet është prodhim vendor, dhe të gjitha janë të punuara me dorë, jo me makinë. Prodhimet tona fillojnë nga shalli, jaka, kapelat, xhupat, e nga shumë gjëra të tjera, që kanë të bëjnë më së shumti me gjininë më të butë. Kjo e gjitha varet nga fizionomia e gruas. Pra, nëse e kemi gruan të bukur, dëshirojmë që të duket edhe më bukur. Ne përpiqemi që të krijojmë veshje të ngrohta, duke shfrytëzuar materialin e leshit dhe të lëkurës, të nxjerrë nga dhelpra, lepuri dhe kafshë të ndryshme.Që t’ua them hapur dhe sinqerisht, duke pasur parasysh përparimin e teknologjisë dhe të industrisë, gjeneratat e reja nuk tregojnë aq interes për këtë zanat, pasi ai kërkon kohë dhe përkushtim të madh, ndërsa të ardhurat janë solide,” shprehet lëkurtari.
Nuk dihet se sa do të vazhdojë kohëzgjatja e këtyre profesioneve dhe ekzistenca e tyre në Çarshinë e Vjetër, por përgjigjen ka për ta dhënë më së miri koha. /tesheshi.com/