Ndonëse ditë më parë, gjatë vizitës që zhvilloi në Drenicë, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nuk e përmendi emrin e komandatit Adem Jashari dhe kontributin e tij për çlirimin e vendit, gjatë një takimi që zhvilloi dje me studentë në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë ka rrëfyer takimin e parë që kanë pasur ai dhe Hashim Thaçi me të.
Veseli tha se si ish-studentë nga Prishtina nisën të organizohen për të marrë misionin e lirisë së Kosovës.
“Vetëm 300 metra nga Biblioteka Kombëtare, për herë të parë kam takuar, e kemi takuar, për t’u lidhur bashkarisht në organizim, një njeri i cili ishte edhe më herët në organizim, komandatin legjendar Adem Jashari. Unë kam qenë në moshën tuaj atëherë, kur po flasim për atë pjesë të historisë,” ka thënë Veseli, por nuk ka treguar më hollësisht se çfarë kanë biseduar konkretisht dhe sa herë të tjera janë takuar bashkë.
Në këtë frymë, ai kërkoi nga të rinjtë të bashkohen, të punojnë për të ardhmen e vendit, dhe jo vetëm të gjejnë një vend pune, por të mendojnë për hapjen e bizneseve, dhe kështu të krijojnë vende pune. /tesheshi.com/