Nga Jonathan Brenneman dhe Aidan Orly
Gjatë javëve të fundit, bota ka qenë dëshmitare e rezistencës së palestinezëve ndaj zhvendosjeve me forcë, aparteidit dhe pushtimit të egër ushtarak. Ka pasur solidarizimin (me ta) anë e mbanë botës dhe thirrje për ta vënë qeverinë izraelite para përgjegjësisë. Megjithatë, ajo që nuk dëgjohet shpesh në narrativën që qarkullon është roli i padiskutueshëm që kanë lëvizjet e fuqishme të krishtera sioniste në historinë e përgjakur të kolonizimit të Palestinës, si tani, ashtu edhe në terma afatgjatë.
Të krishterët sionistë janë në krye të thirrjeve që Shtetet e Bashkuara ta mbështesin Izraelin pa kushte për përzënien e palestinezëve nga Jeruzalemi dhe bombardimin e civilëve në Gaza. Liderët e krishterë sionistë rregullisht e karrikaturojnë rezistencën palestineze si “urrejtëse e hebrenjve”, duke shfrytëzuar anti-semitizmin për të penguar të drejtat e palestinezëve.
Së fundmi, John Hagee, kryetari dhe themeluesit i të Krishterëve të Bashkuar për Izraelin (CUFI), lobi më i madh pro-izraelit në Shtetet e Bashkuara, shkroi në Twiter se Jeruzalemi dhe Izraeli i përkasin popullit hebre dhe nxiti të krishterët që të “mbajnë qëndrim ndaj të ligës” dhe të tregojnë “dashuri dhe mbështetje pa kushte për Izraelin.”
Çfarë ëshë Sionizmi i krishterë?
Sionizmi i krishterë është pa dyshim lëvizja më e madhe që mbështet politikat autoritare të qeverisë izraelite jashtë Izraelit dhe përbën një bllok të rëndësishëm në mesin e të djathtës së krishterë në Shtetet e Bashkuara. Levizjet e krishtera sioniste politike më aktive janë të nxitura kryesisht nga besimi se marrja nën kontroll e tokës biblike të Izraelit nga hebrenjtë do të shkaktojë ardhjen e dytë të Jezusit dhe fundit e botës, ku të krishterët do të gjejnë shpëtim, ndërsa jo të krishterët – përfshirë muslimanët dhe hebrenjtë – do të asgjësohen.
Teologjitë e Fundit të Kohërave i kanë rrënjet në protestanizmin e shekullit të 16-të në Europë dhe janë pasqyrim i kontekstit kolonial ku janë formuar. Sionizmi i krishterë si lëvizje politike tërhoqi vëmendjen si pjesë e “Lëvizjes Fundamentaliste” të shekullit të 19-të në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara ku figura si Lord Shaftesbury, John Nelson Darby dhe William Blackstone, filluan prozelitizmin në profetësinë e Fundit të Kohërave dhe promovimin e ideve për një atdhe për hebrenjtë në Palestinë disa dekada para se hebrenjtë sionistë të bënin thirrje për këtë.
Arthur Balfouri i Britanisë, nga e ka marrë emrin Deklarata e Balfourit, i cili u premtoi hebrenjve një atdhe në Palestinë, ishte vetë një i krishterë sionist i njohur, ashtu siç ishte edhe Presidenti Woodrow Wilson, i cili bashkëfirmosi Deklaratën me nxitjen e Kryetarit të Gjykatës Supreme Sioniste Hebreje, Louis Brandeis.
Sionizmi hebre është më i ri se sionizmi i krishterë. Ata formuan aleanca midis shumicës sioniste hebreje ashkenazi në Europë që donte një shtet hebre dhe të krishterëve sionistë që ndodheshin në pozitat më të larta zyrtare në qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë. Në fakt, ishin të krishterët sionistë ata që kishin fuqinë imperiale dhe ushtarake të nevojshme për të pushtuar dhe kolonizuar Palestinën pas rënies së Perandorisë Osmane. Ishte Liga e Kombeve, e drejtuar nga fuqitë perëndimore me shumicë të krishterë, e cila në fund e ndau Palestinën dhe Izraelin. Pa dyshim, liderët e krishterë sionistë e shikonin zhvendosjen e hebrenjve nga Europa në Palestinë si një zgjidhje të leverdisshme ndaj “problemit hebre”, ndërkohë që Shteti Hebre do të shërbente si një proksi për interesat imperialiste përëndimore në një rajon gjeopolitik strategjik, ku trupat hebreje do të përdoreshin si shpatë dhe mburojë kundër armikut shekullor musliman. Kolonizimi i Palestinës e ka origjinën te interesat imperialiste të krishtera perëndimore, e vazhdon të mbetet i tillë, në kurriz të palestinezëve, muslimanëve dhe hebrenjve.
Sot, shumë të krishterë sionistë e shohin krijimin e Shtetit të Izraelit më 1948, që shkaktoi Nakban – apo dëbimin e rreth 750 mijë palestinezëve – si përmbushjen e profetësisë biblike për Fundin e Kohërave. Pushtimi i Bregut Perëndimor dhe i Lartësive Golan në fillim të 1967-ës nga Izraeli, po ashtu interpretohet si shenjë që Zoti po e bekon Izraelin dhe po i hap rrugën kthimit të Jezusit.
Luftrat që kanë pasuar, pushtimet dhe sulmet janë parë si përshkallëzim i masave për paralajmërimin e Fundit të Kohërave që do të çojnë në shpëtimin e të krishterëve dhe asgjesimin e jo të krishterëve. Me fjalë të tjera, sionizmi i krishterë i përgjigjet pozitivisht konfliktit, në veçanti agresionit shtetëror izraelit kundër palestinezëve. Sionizmi i krishterë nuk ka asnjë ndjeshmëri përsa i përket tokës apo jetës së palestinezëve – përfshirë palestinezët e krishterë – pasi sundimi hebre mbi Palestinën është çelësi për zhbllokimin e Fundit të Kohërave.
Cili është ndikimi i vazhdueshëm i Sionizmit të krishterë?
Sot, të krishterët sionistë vlerësohet të jenë diku me dhjetra milionë. Shumë herë me tepër se popullsia botërore hebreje. Në SHBA, të krishterët sionistët janë blloku votues pro-izraelit më i madh i ekstremit të djathtë. Organizata më e madhe sioniste e krishtetë, CUFI, ka 10 milionë anëtarë, duke eklipsuar totalisht 100 mijë anëtarët që i përkasin Komitetit për Marrëdhëniet me Publikun Izrael-Amerikë (AIPAC), e cila është organizata lobuese më e famshme pro-izraelite. Një në katër të rritur në Shtetet e Bashkuara e identifikon vetën si i krishterë evangjelist. 80 përqind e evangjelistëve të krishterë, pra 20 përqind e popullsisë në SHBA, thuhet se besojnë se mbledhja e miliona hebrenjve në Shtetin e Izraelit nënkupton afrimin e ardhjes së dytë të Jezusit. Fuqia e sionizmit të krishterë në SHBA, është përmbledhur në një intervistë të kohëve të fundit me Ron Dermer, një aleat i afërt i kryeministrit të krahut të djathtë Benjamin Netanjahu dhe ish-ambasadorit izraelit në Shetet e Bashkuara:
“Të krishterët evangjelistë janë shtylla kurrizore që mbështet Izraelin në Shtetet e Bashkuara. Është e vërtetë për shkak të numrit dhe për shkak të pasionit dhe mbështetjes së palëkundur për Izraelin… Rreth 25 përqind e amerikanëve – disa mendojnë më shumë – janë të krishterë evangjelistë. Më pak se dy përqind e amerikanëve janë hebrenjë… Nëse shikoni vetëm numrat, duhet të kaloni më shumë kohë për të arritur të krishterët evangjelistë se sa hebrenjtë. Por shikoni gjithashtu mbështetjen plot pasion. Për shumë evangjelistë në Shtetet e Bashkuara, pa dyshim për shumicën e tyre, Izraeli përbën çështjen më të rëndësishme. Për disa është në krye të listës. Për të tjerët mund të jetë në rend të dytë apo të tretë… Shumë rrallë ndodh të dëgjosh evangjelistë që kritikojnë Izraelin.”
Disa nga politikat më të ashpra anti-palestineze të Shteteve të Bashkuara drejtohen nga të krishterët sionistë. Politika e jashtme e ish-Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Izraelit ishte kryesisht për t’i bërë qejfin bazës së tij të krishterë evangjeliste, e cila votoi për të me një diferencë prej 4 me 1 (nga ana tjetër, një numër shumë më i vogël hebrenjsh amerikanë – diku midis 21 dhe 30 përqind – votuan për Trumpin).
Të krishterët sionistë kanë mbajtur postet më të larta në Administratën e Trumpit, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe ish-Zëvendës Presidentin Mike Pence. Gjatë katër viteve të Trumpit në zyrë pati një zhvendosje dramatike të politikës së SHBA-ve në krahun e ekstremit të djathtë në raport me Izraelin, përfshirë ndërprerjen e financimit të UNRWA – agjencisë përgjegjëse për mbështetjen e refugjatëve palestinezë – njohjen e pretendimeve të paligjshme të Izraelit mbi Lartësitë Golan, zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem dhe tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Qeveria e krahut të djathtë e Netanjahut kishte vite që kërkonte disa prej këtyre ndryshimeve, por kësaj ia arriti më në fund vetëm falë administratës Trump dhe bazës së tij të të krishterëve sionistë. Ndonëse shumica e parave të të krishterëve sionistë kalojnë nëpërmjet kishave dhe është e vështirë të gjurmohen, ata dërgojnë çdo vit me miliona dollarë financime në Izrael, përfshirë mbështetjen për emigrimin e hebrenjve në Izrael dhe mbështetjen për organizatat izraelite të krahut të djathtë dhe vendbanimeve me qëllim të arritjes së synimit të tyre të “grumbullimit” të hebrenjve, zhvendosjen e palestinezëve dhe arritjen e kontrollit të plotë të Izraelit.
Sionizmi i krishterë ka diktuar politikën perëndimore ndaj Palestinës të paktën që prej Deklaratës së Balfourit në 1917 dhe vazhdon të jetë shtylla kurrizore e mbështetjes globale e okupimit të vazhdueshëm, aparteidit dhe zhvendosjeve të popullsisë palestineze.
Ndonëse CUFI nuk përbën bazën mbështetëse të Bidenit, sionizmi i krishterë po e zhvendos diskutimin mbi Palestinën në SHBA, ndërkohë që lëvizja vazhdon të rritet.
Administrata e Bidenit riktheu finacimin për UNRWA, por nuk do të shfuqizojë shumë prej politikave të tjera të Trumpit të ndikuara nga të krishterët sionistë, përfshirë zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem, pavarësisht se kjo përbën një largim të madh nga politika e jashtme që Amerika ka ndjekur në dekadat e fundit. CUFI është rritur në 10 milionë anëtarë nga vetëm dy milionë që kishte në vitin 2015. Sulmet e fundit të Izraelit ndaj palestinezëve janë rezultat i politikave afatgjata izraelite që privilegjojnë hebrenjtë, sidomos ashkenazët e pasur, ndaj palestinezëve. Por janë ata dhjetra miliona të krishterë sionistë që përbëjnë levizjen globale, e cila mbështet, nxit dhe shtyn përpara shtrirjen e konstrollit me çdo kusht të Shtetit të Izraelit mbi “Tokën e Shenjtë”.
Pasoja e sionizmit të krishterë për lëvizjet progresive në SHBA
Ndonëse lëvizjet e të krishterëve sionistë kryesisht i tejkalojnë në numër lëvizjet hebreje sioniste, në ekstremizëm apo në këndvështrimet e tyre autoritariste, të dyja palët vazhdojnë ta përdorin njëra-tjetrën për përfitimet e veta. Ndonëse shumë hebrenjë sionistë e nderojnë si hero Balfourin, i cili ishte një anti-semit i thekur, ata nuk e kanë problem të anashkalojnë anti-semitizmin e të krishterëve sionistë për të forcuar vizionin e tyre të përbashkët për një shtet hebre supremacist të aparteidit në Palestinën historike. Për shembull, edhe kur politikanët amerikanë u distancuan nga John Hagee për qëndrimet e tij të hapura anti-semite, Liga Anti-Shpifje qëndroi e heshtur. Rreshtimi i organizatave hebreje me organizatat e krishtera antisemite të krahut të djathtë për interesin e ekstremit të djathtë në Izrael përbën rrezik për organizatat progresive në Palestinë, Shtetet e Bashkuara dhe ato nëpër botë.
Në fakt, sionizmi i krishterë duhet të sfidohet pasi përben një kërcënim të madh ndaj një axhende më të gjerë progresive. Për shkak se sionizmi i krishterë bazohet në shpëtimin e krishterë që përkon me fundin e botës dhe asgjësimin e jo të krishterëve, ai është në thelb të tij anti-musliman dhe anti-semit. Ndjenjat anti-muslimane të shumë liderëve të krishterë sionistë janë shpesh të hapura dhe të padiskutueshme. Figura të njohura si John Hagee, Chuck Pierce dhe Pat Robertson i janë referuar Islamit si satanik dhe djallëzor. Ata janë aktorë kyç në industrinë anti-muslimane në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër, të krishterët sionisë e përdorin mbështetjen e tyre të palëkundur për Shtetin e Izraelit të bazuar në filosemitizëm – fetishizimin dhe objektifikimin e hebrenjve – që të duket sikur atyre u interesojnë hebrenjtë. Ndërkohë, i përdorin hebrenjtë si gurë shahu për dramën e tyre të Fundit të Kohërave duke besuar se hebrenjtë në fund janë “të mallkuar në Ferr.” Më gjerësisht, shumë komunitete të krishtera sioniste janë pjesë e një axhende më të gjerë të së djathtës së krishterë që lufton kundër abortit dhe të drejtave të LGBTQ, duke kundërshtuar çdo pretendim se atyre u intereson paqja dhe liria.
Të anashkalosh ndikimin e sionizmit të krishterë në kolonizimin e vazhdueshëm të Palestinës do të thotë të anashkalosh lëvizjen më të madhe globale që kërkon kontrollin e plotë hebre mbi Palestinën – dhe një nga lëvizjet anti-muslimane dhe anti-semite e anti-demokratike më të rëndësishme në ditët tona. Sionizmi i krishterë ka diktuar politikën perëndimore ndaj Palestinës të paktën që prej Deklaratës së Balfourit në 1917 e vazhdon të jetë shtylla kurrizore e mbështetjes globale të okupimit të vazhdueshëm, aparteidit dhe zhvendosjeve (të palestinezëve). Progresistët e angazhuar me të drejtat dhe çlirimin e Palestinës – përfshirë sigurinë e muslimanëve dhe hebrenjve – do të jenë të kufizuar për aq kohë sa nuk arrijnë ta sfidojnë drejtpërsëdrejti këtë lëvizje monstruoze.
Solli në shqip Observer.al