Autoritetet qeverisëse të Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë pohuar se prej natës së shkuar po zhvillohen luftime të ashpra mes forcave ushtarake të të dy palëve në vijën e frontit të Nagorni-Karabakut, rajonit për të cilin azerët dhe armenët janë në konflikt të vazhdueshëm.
Nga Azerbajxhani deklarohet se forcat armene kanë vrarë 12 ushtarë azerë dhe kanë rrëzuar një helikopter.
Ministria azere e Mbrojtjes ka lajmëruar po ashtu përmes një njoftimi se forcat e saj kanë marrë kontrollin e një fshati dhe të dy lartësive strategjike në Karabak. Në njoftim thuhet se janë shkatërruar gjashtë tanke armene, 15 pozicione artilerie dhe mbështetëse, e më shumë se 100 ushtarë armenë o janë vrarë, o janë plagosur.
Zëdhënësi i Ministrisë armene të Mbrojtjes deklaroi se po vijojnë luftimet. “Ushtria armene ka nisur një kundërsulm. Ka viktima nga të dyja palët.”
Luftimet konsiderohen si më të ashprat që nga viti 1994. Palët ndahen mes tyre nga një zonë e çmilitarizuar, por secila prej tyre pretendon shkeljen e saj nga ana tjetër.
Konflikti për Nagorni-Karabakun nuk ka gjetur zgjidhje prej fillimit të viteve ’90 të shekullit të shkuar, e herë pas here ka rindezje të tij mes armenëve dhe azerëve. Edhe pse ka një marrëveshje armëpushimi prej vitit 1994, edhe pse kanë pasuar katër rezoluta të OKB-së që i kërkojnë Armenisë të tërhiqet nga territori azer i njohur ndërkombëtarisht, mes Azerbajxhanit dhe Armenisë mbretëron një atmosferë lufte, e bashkëshoqëruar me përplasje të herëpashershme. /tesheshi.com/