Qe bërë një kohë e gjatë që Blushi nuk ndjehej, nuk dëgjohej, a thua se i ishte shuar ajo flakëz kundërshtie ndaj të tijve, e posaçërisht ndaj kryeministrit.
Por ja, ka mjaftuar ndeshja me Serbinë në Elbasan që Ben Blushi, shkrimi i të cilit është thuajse i vetmi që ngjall kërshëri mes gjithë socialistëve, t’i thotë ca fjalë djegëse për Ramën.
Në një shkrim të botuar ekskluzivisht për të përditshmen Panorama, ai i kundërvihet kryeministrit në mënyrën si po e trajton ndeshjen tashmë të humbur. Në këndvështrimin e Blushit, Rama e vë këtë ndeshje në dy plane, në atë të luajtur në fushë, e në atë të përgatitjes jashtë saj. Ai kërkon ta vërë në pah humbjen e kombëtares për ta spikatur më tepër fitoren e tij, atë të përgatitjes së ndeshjes, “dekorit, korit, rendit, vendit, policimit, mobilizimit, organizimit, ushqimit, parkimit, largimit, qetësisë dhe kënaqësisës së selfisë…”
Të papranueshme, acaruese, e quan Blushi mburrjen e Edi Ramës.
E cilëson provincializëm, “një madhështi të ngritur mbi një hidhërim që atij i shkon…”
Shumë therës është Blushi kur pyet në Rama ka ngatërruar kombin apo punën. Po vetë e jep përgjigjen Blushi, kur thotë se kryeministri ka ngatërruar punën që i ka caktuar kombi.
Dhe në fund Blushi e përshkruan rrahjen e gjoksit nga kryeministri për mbarëvajtjen e ndeshjes si marrje përsipër të suksesit mbi harbimin nacional, për t’u lënë të tjerëve, pra, shqiptarëve, “tentacionin nacional të gabimit”.
“Ai u soll si një zbutësh kombesh,” vë pikën Blushi, “i veshur, i qeshur dhe i ngjeshur, siç mund të ishte çdo zbutës pasi del nga cirku ku i duhet të punojë.” /tesheshi.com/