Pas reshejve të vazhdueshme në Kosovë sidomos pjesën qendrore, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Dragash, por ku jo edhe pak fshatra janë përmbytur dhe situata mund të rëndohet pasi edhe në ditët në vijim pritet të ketë reshje, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë disa rekomandime se si të tejkalohet situata.
“Sigurimi i ujit higjienik për pije të ofrohet nga cisternat e kompanive ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e vërshuara, furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgatitje të ushqimit, uji i puseve në vendbanimet vërshuara është ndotur nga plehrat dhe materiet fekale andaj nuk mund të përdoret si i tillë për pije dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit në 100º C së paku 10 min, kompanitë ujore publike/ujësjellësit/ të përforcojnë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojnë ujin, ujësjellësit të furnizojnë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe parandalimin e epidemive hidrike, ekipet e ujësjellësve rajonal të debllokojnë nyjat e kanalizimeve për të mos kontaminuar lagjet e vërshuara me materie fekale në të gjitha vendbanimet e vërshuara”, janë rekomandimet që jep IKSHP.
Instituti thotë se situata epidemiologjike është në kontrollë të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja
IKSHP më tej siguron që uji është i pijshëm.
“Në vendbanime rrjetet e kanalizimeve janë të ngufatura me mbeturina dhe qesin në sipërfaqe materie fekale. Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije të dhënat laboratorike për parametrat bakteriologjik dhe kimik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije, UA 16/2012”, thotë Instituti. /tesheshi.com/