Kur PS do rikthehej në pushtet më 2013-ën, Andis Harasani do i përcillte partisë së tij një urim ndaj përtej oqeanit, duke i uruar asaj suksese në qeverisjen e re me sllogan “Rilindjen”.
Kishte pak kohë që ishte tërhequr nga politika për të vijuar jetën në SHBA. Ndodhi kjo në kulmin e aktivizimit opozitar të PS-së dhe të një kreshendoje të qartë drejt pushtetit. Si përvojë të tij, Harasani kishte lënë pas vetëm një opozitë ndaj Ramës i ingranuar në grupimin e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, krah për krah me Islamin, Malajn e Blushin. Në kohë ai erdhi duke i zbutuar qëndrimet e tij anti-Rama, dhe nuk dihet pse: a prej pafuqisë për ta vijuar me tej kauzën kundër tij, paralel me ndjesinë e dorëzimit më në fund me faktin se Rama “nuk tundej” nga pozitat e kreut të partisë; apo se kryetari nisi të funksiononte siç duhej.
Nga ana tjetër, grupimi LMN u shkërmoq duke reflektuar dhe karakterin e çdonjërit në fatin që zgjodhi: Islami shkoi në PD; Malaj vijoi karrierën akademike duke u treguar njëherësh dhe “akademik” në etikën publike në raport me padrejtësinë që iu bë duke u zëvëndësuar me Koço Kokëdhimën; Blushi luftoi fort me letërsi kundër Ramës dhe në fund krijoi një parti letrare më vete….dhe Harasani që zgjodhi pra të jetonte në Amerikë, ama duke mbetur 100 për qind shqiptar. Ai vijon të jetë i lidhur me fatet e vendit të tij, por në një mënyrë që nuk ka lidhje me ndonjë shqetësim intelektual prej ish-shtetari dhe që për ndonjë kapriço fati mund ta çojë sërish drejt të qenit shtetar.
Po, ai ka qenë një shtetar dhe jo i parandësishëm. I është besuar një sektor strategjik, nga ato që mbajnë shtetin në këmbë: Energjitika. Dhe, në kushtet e Shqipërisë, ku Energjitika ka qenë pasqyrimi më qartë i dallkaukllëkut të një shteti, grykësisë, abuzivitetit, papërgjeshmërisë, paaftësisë, mungesës ulëritëse të një sensi mbi konceptin e shtetit dhe dinjitetit të tij, çdokush që ka patur një rol a një pozitë ndër vite në këtë sektor, së paku duhet të heshtë.
Nuk mund të thuhet se vetë Harasani ka patur përgjegjësinë më të madhe në masakrën që Energjitika i ka bërë vetvetes; përkundrazi mundet që të ketë ndikuar në përmisimin e një gjendje të caktuar; por dreqi e morri si mundet që nuk gjen asnjë status të këtij ish-drejtuesi të lartë që i janë besuar miliona për t’i menaxhuar që të bijë era kriticizëm intelektual prej ekonomisti a teknokrati; që të ofrojë një progonozë, që të bëjë një analizë, që të japë një ide a propozim për atë që mund të bëhet më mirë, duke na bindur më së pari që është bërë keq.
Qartazi ai vijon të jetë një idhnak me qeverisjen e ish-partisë së tij – idhnak dhe jo një kritik klasik, dhe gjithashtu parimor, derisa nuk i sqaron arsyet se përse ka zgjedhur të bëjë sërish kundërshtarin e Rilindjes në FB, qofshin ato politike apo teknokratike, e që mbi të gjitha, forma e zgjedhur është shokuese.
Nëse sheh nivelin ordiner të statuseve politike të tij, dhe share-ve po ashtu politike, pa e ditur se cili ka qenë në një të ardhme jo të largët – pra ku i është besuar të menaxhojë vetë shtetin duke iu lënë në dorë sasia më e madhe e parave e tij – e merr për ndonjë militant të rëndomtë partie, nga ata të hatërmbeturit me kryetarin për arsye nga më të paarsyeshmet që mund të ketë një militant.
Nuk dihet se cilat ishin ato arsye të forta që e çuan Nanon që t’i besonte KESH-in; se në ç’bazë meritash e përzgjodhi; se nga e si e njohu për aftësitë e tij të veçanta në lënien në dorë të milionave dhe dritës së shqiptarëve; por nëse u referohesh produkteve të mendjes e ndërgjegjes që hedh në FB, nuk ka pse mos mendosh që ka qenë një aksident, nga ato me të cilat është mbushur tumbllazi politika shqiptare në tranzicion, e që më specifikisht kanë dalë nga “jeta e natës” e Fatos Nanos.
Harasani mund të jetë kodosh i parasë, por që shoqëria të përfiton diç prej tij, intelektit, vizionit, ideve, moralit, aftësive të veçanta, kjo zorr se mund të ndodhë, siç dhe nuk ka ndodhur.
Çmeritja tjetër që të vjen prej produktit fejsbukian të tij, është se si mundet që në një jetë amerikane të jetë aq shqiptar, në kuptimin më të rëndomtë të fjalës? Por gjithsesi ky është një aspekt privat. Ka prej njerëzve që ndryshimet e rrethanave sociale nuk u japin asnjë impakt në vetëdije, veprim dhe artikulim. Janë të vetëdënuar për të qenë të pandryshueshëm në ndryshueshmërinë dialektore të ekzistencës.
Dhe tjetra, akoma më çmeritëse, këndëllet nga shkrime me teori konspirative, duke u rreshtuar në masën e madhe të të frustruarve që ngushëllohen në boshësinë e tyre duke i gjetur të urryerit politik, arsye okulte se përse ekziston politikisht. Dhe këtë e bën ai që deri dje ka qenë vetë në politikë, ka qenë në krah të personazhit okult, dhe që mbi të gjitha ka aspiruar të jetë shtetar, e që ndoshte fare mirë do ishte, nëse nuk do zgjidhte Amerikën.
Dhe ja pra përse nuk kemi mundur të bëjmë shtet në gjithë këto vite. Shih se ç’niveli ia kemi besuar…/tesheshi.com/