Misioni PAMECA 4, vlerëson se hetimet e nisura pak muaj më parë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe dy oficerëve të FSO-së, lidhur me një aferë të përfolur përgjimesh, konsiderohen si thjesht dyshime dhe që rrezikuan për një periudhë kohe vijueshmërinë e punës në polici. Sipas asaj çfarë thuhet në një raport të fundit të këtij misioni, nuk ka patur asnjë të dhënë që pajisja “IMSI Catcher” të ishte në gjendje të kryente përgjime,
PAMECA 4, i cili është misioni i asistencës së BE-së ndaj organeve ligjzbatuese në Shqipëri, thotë në raportin e cituar nga Top Chanel se ”vendimi i gjykatës mund të ndikonte negativisht hetimet proaktive apo atë në vijim lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, pasi policia do të kishte më pak burime duke qenë se drejtuesit e Forcave Operacionale prekeshin direkt për shkak të masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’”.
Por pasi e ka pastruar imazhin e organeve të policisë mbi aferën e dyshuar të përgjimeve, në raport hidhen kritika mbi rastin e Emiliono Shullazit, ku thuhet se “hetimet ndaj tij nuk janë kryer në mënyrë të thelluar për të arritur një rezultat konkret dhe në mënyrën më të shpejtë të mundshme”
Po ashtu, në raport përmendet dhe rasti i arrestimit të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Raporti ka gjykuar pëer rastin e Roshit se “vendimi që dha gjykata për ‘arrest me burg’, nuk kishte një arsyetim serioz se përse u shpall ky verdikt, duke hedhur dyshime e duke e konsideruar si tendencioz çdo qëndrim miratues të gjykatës ndaj kërkesave të prokurorisë për dosje sensitive”. /tesheshi.com/