Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar kontigjentin e lojtarëve dhe staffit teknik për të dërguar mesazhin e fundit gjithë popullit shqiptar para sfidës jetike ndaj Serbisë. Në videon e publikuar në rrjetin social “facebook”, Rama kërkon nga tifozët të përkrahin kombëtaren me dinjitet, mature dhe të tregojnë europianizëm, pasi aty e kanë vendin shqiptarët.
“Ne jemi shqiptarë, ne jemi europian”, ishte mesazhi i trajnerit të kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi.
“Ta kthejmë në festën ditën e 8 tetorit, të gjithë së bashku”, është fraza e sulmuesit Sokol Cikalleshi.
“Do mundohemi të justifikojmë besimin dhe krenarinë që keni treguar për ne, justifikojeni edhe ju në shkallët e stadiumit”, është citati i sulmuesit tjetër, Hamdi Salihi.
“Me dinjitet dhe qetësi, duhet të na mbështesni të shkojmë para në Europian”, është thirrja e mbrojtësit Elseid Hysaj.
“Do e bëjmë së bashku”, thirrja e gardianit të portës Etrit Berisha.
“I vetmi qëllim është Franca 2016”, thotë kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.
“Ne kemi një zemër, atë kuq e zi”, shprehet i emocionuar, sulmuesi Shkëlzen Gashi.
“Zemra kuq e zi duhet të rrahi fortë, qoftë në fushë, qoftë në shkallët e stadiumit. Por, mbi të gjitha në fund duhet të fitoj kombëtarja dhe imazhi i Shqipërisë, si një vend europian me një kombëtare që shkon drejt kampionatit europian”, përfundon në fund kryeministri Rama.
/tesheshi.com/