Kryeministri Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në Neë York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke e nisur që në fillim fjalëmbajtjen e tij sipas mënyrës së vet, jashtë kornizave.
“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë. Më lini ta nis, duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve:
Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen. Ju faleminderit që jeni këtu!
Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë”, tha i pari i qeverisjes së Shqipërisë.
Aty, Rama gjithashtu zgjodhi të promovojë vlerën e bashkëjetesës fetare te bashkëkombasit e tij.
E tha këtë duke renditur ato që ka bërë Shqipëria për popujt e tjerë, siç së fundi me afganët.
“Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit; apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve.
Ne nuk kërkojmë merita për këtë. Ajo i takojnë dinjitetit çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimeve, fesë, etnisë, gjinisë apo cilitdo orientimi.
Ky nuk është slogan, është praktikë e jetuar. Ne nuk veprojmë sipas këtij kodi nderi sepse mundemi, por thjesht sepse duhet – është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.
Të dashur miq, në shtegtimin e gjatë derisa gjetëm rrugën tonë i kemi parë të gjitha: luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar, varfërinë e skajshme. E vetmja gjë që nuk kemi përjetuar – dhe ka një arsye thelbësore për këtë – është konflikti fetar.
Arsyeja është se e kemi mësuar nga përvoja të vëmë të përbashkëtën në vend të parë dhe individualen me pas. Ne ia kemi dalë të besojmë në dialogun e sinqertë ose, për ta thënë më mirë, në ‘shkrirjen e horizonteve’. Dialogu, për ne, është një mënyrë për të arritur mirëkuptimin e ndërsjellë, respektin dhe pranimin reciprok, pa të cilat paqja do të mbetej një mirazh, një aspirate e pakapshme”, tha Rama, duke vijuar dhe të filozofojë pak:
“Ne do të mund të luftojmë shkaqet rrënjësore te konfliktit të dhunshëm duke pranuar tjetrin te vetja dhe veten te të tjerët. Në fund të fundit, ne jemi të gjithë një bashkësi e fatit.
E ardhmja jonë në këtë vend të vetëm e unik që quhet tokë është e lidhur tekefundit me aftësinë tonë për të kuptuar e për të mësuar të jetojmë me dallimet tona, me aspiratat e përbashkëta, në paqe dhe dinjitet”. /tesheshi.com/