Diskutimi në Kuvend i ligjit për Arsimit të lartë ka sjellë replika e polemika pa fund. Kryeministri edi Rama, ka mbrojtur draftin e ri duke thënë se ai sjell një revolucion dhe i jep fund periudhës së piramidave ku kishte më shumë diploma dhe më pak të arsimuar.
Ai ka thënë se ky ligj sulmohet nga disa profesorë të kohës së komunizmit, që janë mësuar të bëjnë edhe profesorin, edhe menaxherin. Rama tha se deri dy vite më parë, në Shqipëri jepeshin bursa për raki rrushi apo për sedilje furgoni.
“Në shtator të vitit 2013 kishte 59 shkolla të larta publike dhe 44 private. Tetë herë më shumë se Britania e Madhe. U hap sistemi i studimit me kohë të pjesshme që diplomonte studentë uikendi.
Në tetë vjet nuk akredituat asnjë universitet publik, por 44 privatë”, tha Rama. “Dhuro raki rrushi dhe merr një bursë. A e kuptoni se çfarë distilerish keni krijuar? Dhuro 20 sedilje furgoni dhe sisteme të brendshme furgoni dhe përfiton dy bursa dyvjeçare, apo ju jepnin 2 ton tallash për bursë.
Ky është arsimi juaj i lartë. Keni nxjerrë në rrugë të protestojnë pjesëtarë të Organizatës së Partisë së Punës së Universitetit të 89ës që jo rastësisht mblidhet në SHQUP”, tha Rama.
Rama ironizoi edhe temat e doktoraturave të mbrojtura këto vite në universitetet shqiptare, duke përmendur disa prej tyre.
“Dëgjova një nga ju që tha se u shkatërrua shkenca. Keni arritur të bëni doktoraturë për shpërndarjen e mjekëve në Prizren. Ndërkohë që sot, procesi i doktoraturës, e dini ju si rezulton, që ka një grusht të hekurt të Organizatës së Partisë së vjetër dhe një të asaj të re, që ndërkohë që ligji juaj thotë jo më shumë se 5 studentë në udhëheqje të një profesori, e
kanë çuar 15 dhe njëri dekan ka 40 studente doktorantë. Ç’janë këta superprofesorë? Ka tema doktoraturash në Albanologji si: “Historia e Funksionit të Noterit”, “Aktrimi në Filmin Kosovar”, , “Menaxhimi Stomatologjik në Rrethin e Tiranës”.
Keni arritur kulmin me gjinekologji me temën: “Si të bëhesh mami”, e bëra nga një mashkull. Ky është sistemi juaj, a e kuptoni?”, tha Rama.