Akuzave të opozitës për “qeverisje fasadë”, ku theksi vihet tek rilindja urbane, kryeministri Rama i është përgjigjur me një krahasim, ashtu siç afro 15 vite më parë, që kur akuzohej për fasadat e pallatave në Tiranë, thoshte se kjo e fundit nuk ka pse të jetë një grua që nuk duhet të lyhet e zbukurohet, edhe pse e rrënuar. E tashmë gruan e ka zëvëndësuar me flokët e Bashës si lëndë krahasuese.
“Ia thashë dhe Lulit kur e takova: Po të ishte fasada e parëndësishme ti nuk ke pse i kreh flokët kur del, dil i pakrehur, i paveshur, i palarë se ti po ky je, nuk ka problem. Pse nuk e bën? Dhe kështu është për të gjitha. Paraftyroni për një moment sikur të gjitha gratë të mos krifeshin më, të mos visheshin më, të mos kujdeseshin më, të gjithë burrat të mos qetheshin më, mos rruheshin më. Fasada, pse duhet të merren me fasada.Të gjithë të dilnin dhe të merreshin me barkun që duhet mbushur dhe shqisat që duhet vënë në gjumë, çfarë do të ishte sot qytetërimi! E njëjta gjë vlen dhe për mjedisin dhe hapësirat urbane”, tha Rama duke folur nga Shkodra, në përurimin e rikonstruksionit të urës edhe historike të Bunës. Aty ai sërish akuzoi me kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi, duke thënë se ajo refuzoi të bashkëpunonte për rilindjen e urës duke zgjedhur të merret me pronësinë e saj.
Rama premtoi të tjera ndërhyrje të fuqishme në Shkodër, duke veçuar rrugën e Velipojës si dhe bregun e liqenit deri në Shirokë.
E gjithë kjo ndodhte ndërsa paralel, Luan Rama i LSI-së e akuzonte për kanabizimin e vendit gjatë 4 viteve të qeverisjes. /tesheshi.com/