Kryeministri Rama nuk përmbahet më dhe ka rrëfyer publikisht se kush është frymëzimi për idetë që gjeneron. Gruaja e tij, Linda Rama. Ai tregoi se edhe organizimi i Samitit të Diasporës ishte një propozim i bashkëshortes së tij. Çelja e një samiti të tillë tha se ka ardhur, si rezultat i takimeve të saj me shqiptarët e disporës në Amerikë, gjatë vitit 2015.
“Nuk dua të jetë më e fshehtë, se idetë e gruas më pëlqejnë më shumë se të miat, edhe pse jam kokëfortë”, u shpreh kreu i qeverisë, pasditen e së premtes, gjatë ceremonisë përuruese së këtij samiti.
Rama pohoi se ardhja e shqiptarëve nga anë e mbanë botës ka një rëndësi të veçantë, pasi të bashkuar mund të arrijnë çdo gjë.
“Ju jeni Shqipëria e përmbushur që ushqehet me rrënjët e asaj që quhet atdheu i shqiptarëve. Rrënjët janë të rëndësishme. Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar, si një territor me mijëra pjesë. T’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën nga 40 vende të botës është pak. Shqiptarët mund të arrijnë atë që dëshirojnë nëse bëhen bashkë”, u shpreh ai.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai shprehu nevojën e një riorganizimi të diasporës shqiptare. Ky samit organizohet për tre ditë më radhë në kryeqytet, përkatësisht më datë 18, 19 dhe 20 nëntor./tesheshi.com