“Shqipëria, për italianët është Italia e famshme e viteve të boomit ekonomik.”
Ky ishte mesazhi që italianët që punojnë në Shqipëri përcollën gjatë programit të RAI 3 “Agora” përballë Kryeministrit Edi Rama, i cili foli për Shqipërinë dje, Shqipërinë sot dhe aspiratat e saj për të ardhmen.
Moderatorja Serena Bortone, e këtij talk show politik, e nisi me një prezantim të rrugëtimit politik të Kryeministrit, duke veçuar atë që ajo e quajti “Revolucioni Penelatave”, në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. “Kryeministër prej viti 2013. Më përpara keni qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës, një ngjashmëri politike që ju afron me Matteo Renzin, për më tepër e di që jeni edhe miq. Sidoqoftë, të dy bëni pjesë në familjen socialiste, pra jeni politikisht të afërm. Po them dy fjale rreth jush. Si Kryetari i Bashkisë së Tiranës pikturuat ndërtesat e zymta komuniste, dhe shënuat fillimin e asaj që do të quhej “Revolucioni i Penelatave”, apo jo? Sa e rëndësishme ishte gjendja shpirtërore e
mirë për të dalë nga kriza dhe nga ai moment i trishtë i vendit tuaj?”
“Pikësëpari, – u shpreh Kryeministri, – bëhej fjalë për të rigjetur rrugën e shpresës, pas shumë vitesh dëshpërim dhe zhgënjimesh të shumta.”
Kureshtisë së moderatores për përsenë e dëshirës së fortë të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, në një kohë kur vende të tjera, sipas saj, duan të dalin nga Europa, veçanërisht pas krizës greke, Kryeministri iu përgjigj: “Sigurisht duket që është një paradoks i veçantë, që ndërsa nuk janë të paktë ata që duan të dalin, mjaft të mendojmë për Britaninë e Madhe, ose forcat politike në vende të tjera, ne në Ballkan dhe në Shqipëri duam të hyjmë, sepse ne vazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh dhe mendojmë se është e vërtetë që Europa po kalon sot, një moment të veçantë dhe të vështirë, por kjo nuk do të thotë që të kemi më pak Europë dhe që të dalim nga Europa, që do të ishte që të dilnim nga historia, por do të thotë sigurisht një Bashkim më shumë i lidhur me fatet e njerëzve, më shumë politikë dhe më pak burokratike.”
Biseda u bë edhe më interesante pas një reportazhi që rrëfente përvojën e shumë italianëve që punojnë në Shqipëri. Një fotografim të asaj sesi ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë vetëm në 25vjet, të cilën Bortone quajti një situatë të përmbysur, kur tashmë nuk janë shqiptarët që shkojnë në Itali në
kërkim të një pune, por janë italianët që vijnë në Shqipëri për të investuar dhe punuar, për shkak të taksat janë 15% dhe kosto e punës është e ulët. “Mrekullia shqiptare është një konkurrencë e padrejtë në përballjen me ne?” iu drejtua Kryeministrit, me një batutë Bortone.
“Mjafton të shohësh këto imazhe për të kuptuar sesi kohët dhe historia kanë ndryshuar në një
mënyrë të paimagjinueshme. Duken imazhe të një shekulli më parë, por janë imazhe të vetëm 25 viteve më parë. Sot jemi në një gjendje të ndryshme nga 25 vjet më parë, kur shqiptarët vinin këtu sepse ishin të uritur, ndërsa sot janë rreth 40 mijë shqiptarë që i paguajnë Buxhetit të Shtetit Italian, që hapin sipërmarrje në Itali ku janë tërësisht të integruar. Për të mos folur për studentët e rinj, që krahasuar me studentë që vijnë nga vende të tjera janë më të mirët përsa i përket rezultateve, por kemi edhe një situatë të anasjelltë, pasi 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, e me qindra
sipërmarrje që mbërrijnë. Ju nuk doni që unë të flas për shpërngulje të tyre, por për ndërkombëtarizim, vijnë nga kosto e ulët e punës dhe presioni fiskal shumë i ulët.”
Sot, kur Europa po përballet edhe me një problem me përmasa në rritje, emigracionin, moderatorja kërkoi të njihte këndvështrimin e Kryeministrit të Shqipërisë lidhur me qasjen ndaj këtij problemi. Një qasje tërësisht joracionale, e konsideroi Kryeministri, qëndrimi e kujtdo që përpiqet të nxisë urrejtjen
dhe ta shohë zgjidhjen tek vendosja e barrikadave.
“Unë besoj fort që nëse politikanët fshihen pas njerëzve, njerëzit nuk ia dalin dot mbanë dhe nuk ekziston më kuptimi i lidershipit, i së ardhmes. Duhet të përfaqësojmë diçka që shkon përtej shqetësimit akut të njerëzve. Nëse ne përfaqësojmë shqetësimet akute të njerëzve vetëm për të marrë votat, atëherë e çojmë vendin drejt humnerës. Sigurisht që, nuk ka vend për të gjithë, por kjo çështje është më e komplikuar. Të gjithë duhet të kemi parasysh që çështja e emigracionit nuk mund
të përballohet veçmas nga Italia ose nga vendet që janë në linjë të parë karshi këtij problemi. Është një çështje që duhet të trajtohet në nivel europian, prandaj dhe duhet më shumë Europë dhe jo më pak Europë. Nëse në fund triumfojnë tezat “Hajde ikim nga Europa, hajde ikim nga Euro. Mbyllemi në kështjellën tonë”, kështjella do bjerë. Nuk ka kështjellë që mund t’i bëjë ballë këtij dëshpërimi që vjen nga botë të tjera. Duhet të rindërtojmë projektin europian. Është fakti i të qenit një projekt I
papërfunduar që krijon probleme, jo projekti në vetvete. Duhet të kemi një projekt europian, që t’i bëjë të gjithë më të fortë.”
Duke mbështetur qëndrimin e Presidentit të CDIsë, Pier Ferdinando Casinit, i pranishëm gjithashtu në program, Kryeministri theksoi se në qasjen e tij, emigracioni duhet të trajtohet jo si një fenomen lokal apo rajonal, por botëror, që kërkon jo mure, por vizion dhe bashkëpunim.
“Dua të përshëndes Pier Ferdinandon që është një mik i mirë i Shqipërisë dhe një dëshmitar i gjithë këtyre viteve. Dua të nënvizoj që ajo që tha është e shenjtë. Duhet të shohim përtej vendit ku ndodhemi dhe të shikojmë panoramën botërore të këtij emigracioni të dëshpëruar. Duhet bashkëpunim dhe jo të ndërtohen mure, që do ishte vetëvrasëse për Italinë. Gjithashtu duhet të kuptojmë se këta persona s’kanë asgjë për të humbur, kurse Italia ka gjithçka për të humbur. Të ndërtosh mur kundër një muri është një vetëvrasje jo vetëm politike, por mund të ketë pasoja shumë të rënda për njerëzit. Dhe thelbi qëndron pikërisht në atë që tha Pier Ferdinando. Është normale që njerëzit në lagje të ndihen të frustruar dhe të frikësuar, por është absolutisht e padrejtë dhe madje imorale që ata që bëjnë televizion dhe që mund t’u flasin njerëzve, bëhen zëdhënës të atij halli që
nuk është alternativa, nuk është vizion, nuk është program, është vetëm një reaksion. Domethënë, të bësh këtë lloj politike vetëm për të mbledhur vota është të godasësh me thikë këtë vend, aq sa të paralizohet tërësisht përballë këtyre pyetjeve të mëdha, për të cilat askush nuk ka një përgjigje shteruese.”
Dhe në mbyllje të bisedës, pas pyetjes së moderatores Bortone: “Faleminderit Zoti Kryeministër. Ku do të shkoni tani?”, një batutë ftesë e Kryeministrit: “Do kthehem në Shqipëri dhe ju ftoj të gjithë të vini sepse ndërsa këtu flasim, atje veprojmë.”