Në një intervistë dhënë për A1 Report, kryeministri Rama nuk ka preferuar të komentojë shumë mbi zhvillimet që kanë në qendër presdentin Meta. Edhe sa i përket komisionit hetimor për shkarkimin e tij, Rama i është shmangur komenteve, duke thënë se i takon atij komisioni që të vendosë mbi shkeljet e kreut të shtetit.
“Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë, është krijuar një komision që ka në përbërje njerëz të ligjit, që dinë të zbërthejnë të gjithë materien nga pikëpamja ligjore dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si parlament dhe ne do të marrim vendimin tonë. Nuk kam asnjë minutë për t’u marrë me fatin e Ilir Metës”, tha Rama, duke vijuar:
“Mbrëmë jam marrë me fatin e një djali që gjendej në një situatë dramatike që prej tetë vitesh e trajtojnë në shtëpi dhe u mungonte një spital special për sëmundjen e tij, nuk kishin trokitur në dyer e autoriteteve, u desh një faqe në Facebook që të merrej vesh.
Djalin e kemi sjellë në Tiranë dhe tani po kthehet në shtëpi ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje. Kjo është shumë e rëndësishme se fati i Ilir Metës. Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare”, u shpreh Rama. /tesheshi.com/