Pas një dekadë qeverisjeje me xanxën e rëndë të një korrupsioni të papërmbajtshëm e kapilar, me grykësi të shfrenuar në të gjitha nivelet, ku reale e ku e fryrë dhe nga mediat sociale, qeverisja socialiste po mendon tani që të fusë në programet shkollore edukatën morale antikorrupsion.
E paangazhuar fare me shërimin moral të një shoqëria të sëmurë në postkomunizëm, pikërisht në moralin e saj të shprishur keqaz, Rama tashmë po kujtohet për atë që duhej të ishte starti i qeverisjes së tij. Në këtë pikë, eufemizmi politik “Rilindje” ka qenë diçka bosh, thjesht eufemizëm me efekt propagandistik.
Ishte ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila duke duke prezantuar 30 institucioneve shtetërore draftin për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, në çelje të një seri konsultimesh publike, bëri me dije dhe një risi në kurrikulat shkollore, gjë që vendet më traditë në antikorrupsion e kanë bërë me kohë.
Siç tha ajo, “krahas, vëmendjes së shtuar të edukimit me etikën dhe integritetin me të gjithë zyrtarët publik, kjo strategji synon rishikimin e të gjithë kurrikulës së arsimit parauniversitar me qëllim, edukimin me kulturën e integritetin që në moshë të hershme tek fëmijët dhe të rinjtë”.
Pra, për ironi, “tre hapat” para të Ramës në këtë rast nuk vlejnë fare si atribut i tij i veçantë politik. Vlejnë në shahun politik në raport me rivalët, por jo në mbrothësinë shoqërore. Në këtë pikë, është shumë mbrapa, një dekadë mbrapa. /tesheshi.com/