Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman për politikat evropiane, Florian Hahn, është treguar i ashpër me zgjedhjet e opozitës shqiptare për të djegur mandatet zhvendosur në rrugë me protesta, në dis raste dhe të dhunshme.
Në një intervistë dhënë DW, Hahn kujton të njëjtën kritikë që ka adresuar dikur dhe për PS-në kur bojkotonte në kushte opozitë, e nuk ngurron që të hedh idenë e zëvëndësimit të opozitës pas braktisjes së parlamentit…
Zoti Hahn, disa ditë më parë, ju patët një deklaratë për Shqipërinë, ku kritikonit hapin e opozitës për dorëzimin e mandateve. Cilat ishin reagimet që morët nga partia partnere juaj në Shqipëri?
Kam marrë disa reagime, por jo direkt nga partia jonë partnere.
Pra, ju nuk keni aspak mirëkuptim për këtë hap të opozitës?
Unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti.
Por opozita pretendon se nuk mund të kryejë më rolin e saj kontrollues në parlament, se nuk dëshiron t’i shërbejë qeverisë vetëm si fasadë…
Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë nuk duhet bojkotuar kurrsesi.
Tashmë kjo ka ndodhur. Çfarë do t’u këshillonit ju ndërkohë partnerëve tuaj?
Kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Në se ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh.
Por këtë nuk e dëshiron kreu partiak?
Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo.
Pra, ju nuk keni asnjë këshillë se si duhet të vijohet më tej…
Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.
A do të kishte kuptim ndoshta të bëheshin zgjedhje të reja?
E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga Kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Marrë nga DW