Tërheqja e SHBA nga marrëveshja mbi çarmatimin, të tilla si marrëveshja për ndalimin e posedimit të armëve bërthamore, do të çojë në garën e armëve dhe në një situatë tejet të rrezikshme, tha presidenti rus Vladimir Putin.
Ai paralajmëroi se “çështja kryesore është ajo që Shtetet e Bashkuara do të bëjnë në rast të tërheqjes nga INF”.
“Nëse vendosin raketa në Evropë, atëherë duhet të reagojmë në të njëjtën mënyrë”, tha Putini.
Sipas tij, “vendet evropiane që lejojnë vendosjen e raketave strategjike amerikane në tokën e tyre duhet të kuptojnë se ata janë në një territor që kërcënohet nga një reagim i mundshëm”.
Putin shprehu shpresë se do të flasë për këtë me Presidentin Trump gjatë takimit të tyre në Paris, të planifikuar për në 11 nëntor.
Trump njoftoi fundjavën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga INF, i cili ndalon posedimin e raketave bërthamore me një distancë prej 500 deri në 5.000 kilometra, e cila u nënshkrua në vitin 1987. /tesheshi.com/