Paris Saint Germain është gati të bëjë “çmendurinë e çmendurive”, nëse merr edhe një “gjysëm PO-je”, prej brazilianit Neymar.
Klubi francez është gati të nënshkruajë për t’i dhënë 30 milion euro në vit sulmuesit të Barcelonës, si edhe të paguajë klauzolën prej 222 milion eurove, që klubi katalanas ka vendosur për Neymar, pas nënshkrimit të kontratës së fundit me të.
Prej kohësh drejtuesit e PSG po qëndrojnë “sy e veshë” në drejtim të sulmuesit, pasi kanë kapur sinjale të vogla të një “rebelimi” të tij ndaj Barcelonës, mbase edhe për shkak të “mbretërimit” të Leo Mesit me fanellën katalanase.
Edhe pse me argjentinasin, vetë Neymar ka raport të shkëlqyer, sërish ai mbetet “penngesë” që braziliani të mos bëhet kurrë “numri 1” në skuadër. Për këtë shkak, mediat në Francë raportojnë se sulmuesi po e sheh mundësinë për të kaluar në një klub ku mund të jetë lideri i skuadrës.
Kaq ka mjaftuar që presidenti Al-Khelaifi, të firmosë “në të bardhë”, pa u trembur nga limiti financiar që mund të nevojitet, për të marrë në skuadër, sulmuesin që mund t’a çojë tek ëndra e Champions League.
Nëse marrëveshja arrihet, është e kotë të thuash që Neymar do të bëhej një prej futbollistëve më të pasur në planet./tesheshi.com/