Përgatitjet shumë të shkurtra dhe pamundësia e zhvillimit të ndeshjeve përgatitore për Botërorin e Katarit, që do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, janë sfidë për të gjitha kombëtaret, ndaj ekspertët parashikojnë se në këtë Botëror do të ketë surpriza të mëdha
Në mes të një orari atipik dhe ultra të ngjeshur, bota e futbollit pret Botërorin e parë dimëror me plot të panjohura të mëdha.
Mes fundjavës së fundit të kampionateve kombëtare më 12 dhe 13 nëntor dhe hapjes Katar-Ekuador të dielën, më 20 nëntor, ekipet kombëtare do të kenë vetëm një javë kohë për t’u përgatitur, krahasuar me tre javë në një muaj para çdo gare madhore.
“Përzgjedhësit do të duhet të durojnë dhe të luten,” përmbledh Nicolas Dyon, një trajner fitnesi që ka punuar për Nice, Rennes dhe Saint-Etienne, për AFP, i cili beson se aftësia fizike e lojtarëve do të jetë në duart e çdo klubi.
“Është shumë problematike për sa i përket fiziologjisë dhe performancës. Është si të hedhësh një monedhë”.
Një shans për të vegjlit
Përzgjedhësit përpiqen t’i vënë gjërat në perspektivë duke pretenduar se shumica e tyre kanë të njëjtin problem, si Didier Deschamps, kreu i kombëtares franceze.
“Fakti që nuk kemi mundësi të luajmë një ndeshje nxehëse para kompeticionit është për të ardhur keq, por ky do të jetë rasti për pothuajse të gjithë”, theksoi ai javën e kaluar.
“Është e njëjtë për të gjithë, kështu që është e drejtë”, tha homologu i tij spanjoll Luis Enrique.
Ndërkohë që kampionia në fuqi e botës, Franca, e cila nis më 22 nëntor kundër Australisë, nuk ka ndërmend të luajë një ndeshje miqësore, Gjermania, e cila do të hyjë në garë më 23 nëntor, po planifikon një mini-kamp përgatitor në Oman (nga 14 deri më 18 nëntor), së bashku me një ndeshje miqësore kundër Omaninit më 16 nëntor.
Argjentina e Lionel Messit është duke llogaritur “gjeneralin” ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe më 16 nëntor, ndërsa Portugalia e Cristiano Ronaldos e pret ndeshjen kundër Nigerisë më 17 nëntor.
“Përgatitjet për Kupën e Botës janë krejtësisht të ndryshme nga edicionet e mëparshme. Kemi më pak kohë dhe kombëtaret e vogla mund të përfitojnë nga kjo”, përmblodhi Oliver Bierhoff, trajneri i kombëtares gjermane.
Nuk ka lodhje të akumuluar
Përzgjedhjet e tjera, si nikoqiri Katar, do të kenë më shumë se sa kohë për t’u përgatitur, gati një muaj e gjysmë.
“Mendimi im është se do të shohim surpriza të mëdha në WC. Dhe kjo nga skuadrat që nuk presim të jenë në formë”, analizon Dyon, ish-trajneri i fitnesit i Kombëtares së Katarit në fillim të viteve 2000. “Po shkojmë në një vend me shumë pasiguri për sa i përket lagështisë. Si do të përshtaten lojtarët? Ekipet e vogla mund të përfitojnë nga kjo.”
Tite, trajneri i Brazilit, vëren se ai do të detyrohet të zgjedhë vetëm lojtarë në formë të mirë, pavarësisht statusit të tyre, dhe Deschamps nuk thotë më kur paralajmëron se mesfushori yll Paul Pogba, i cili është në shërim, nuk do të shkojë në WC përveç nëse ai është plotësisht i aftë.
“Ndeshja jonë e parë është vetëm dhjetë ditë pas ardhjes së lojtarëve për grumbullim. Pra, ose je në formë të mirë ose nuk je në listë”, tha Tite.
Ekziston edhe një pikë pozitive – me Kupën e Botës në mes të dimrit, nuk do të ketë lodhje të akumuluar nga fundi i sezonit, gjë që është e zakonshme për Kupat e Botës. /tesheshi.com/