Tërheqja e nënshkrimeve nga deputetët, Bislim Zogaj i PDK-së, Danush Ademi nga grupi parlamentar 6+ dhe Veton Berisha deputet, që përfaqëson komunitetin egjiptian të Kosovës ka bërë që Lëvizja “Vetëvendosje” të mos arrijë të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pra sigurimin e 40 nënshkrimeve për mbajtjen e një seance plenare, ku do të diskutohej në lidhje me vdekjen e aktivistit të saj në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari.
Mos mbajtja e seancës acaroi jo pak deputetët e VV-së, të cilët kritikuan direkt partitë në pushtet për presion ndaj deputetëve, që ata të tërheqin nënshkrimet e dhëna paraprakisht vetëm e vetëm që të mos diskutohet për Astritin nga të zgjedhurit e popullit.
Pas dështimit të mbajtjes së seancës për rastin në fjalë, kryekuvendari Kadri Veseli tha se Kryesia e Kuvendit nuk mund të kërkojë seancë pa patur 40 firma, ndërsa mohoi çdo presion mbi deputetin e partisë së tij Bislim Zogaj, i cili tërhoqi nënshkrimin, por shtoi se “nuk është e ndershme të përfitohet politikisht me një rast të dhimbshëm”.
Se mund të jetë bërë presion ndaj deputetëve, e kanë mohuar edhe dy partitë në pushtet PDK dhe LDK, të cilat përmes kreytarëve të grupeve parlamentare kanë thënë se duhet të priten rezultatet e hetimeve e pastaj të debatohet për këtë rast.
VV: S’do të ndalemi në përpjekje të mbajtjes së seancës plenare për Astritin
Por, Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se përkundër dështimit që të mbahet seanca këtë javë për aktivistin e tyre të ndjerë, nuk do të ndalen së kërkuari, që ky rast të diskutohet në Kuvend.
Shkodran Hoti, zëdhënës i Vetëvendosje-s thotë se dështimi i mbajtjes së seancës për një rast si vdekja e Astritit, tregon se pushteti aktual nuk e do zbardhjen e vdekjes së dhunshme të një të riu 26-vjeçar në një institucion të sigurisë dhe ky pushtet nuk e do Kosovën republikë parlamentare.
“Duket që pushteti, konkretisht partitë LDK e PDK – përjashto këtu numër të vogël deputetësh me integritet duan që ta pushojnë këtë rast. Këtë po e them se tashmë është e qartë se ka pasur trysni të formave të ndryshme ndaj deputetëve që tërhoqën nënshkrimet, e që jepnin arsyetime formalisht, arsyetime koti e banale. Pra, kishim Bislim Zogjan që tërhoqi nënshkrimin disa sekonda pa filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku do të diskutohej për mbajtjen e kësaj seance, gjë që tregon se ka një koordinim që të pamundësohet mbajtja e saj”, thotë Hoti, për tesheshi.com.
Ai më tej bën të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdoj të këmbëngulë që të diskutohet në institucionin ligjvënës për vdekjen misterioze të aktivistit të tyre në burg.
“Lëvizja sigurisht që s’do të ndalë përpjekjen për mbajtjen e kësaj seance. Pavarësisht kësaj seance, po ashtu do të jemi të zëshëm dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për këtë rast. Dhe do të punojmë e angazhohemi me gjitha kapacitetet që Kosovën ta bëjmë shtet të së drejtës, ku institucionet marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, e jo ku ato janë indikator që thellon krizën në vend”, thotë Hoti.
Debati u mbështet nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma për Kosovën.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj mosbajtjen e seancës e ka quajtur dështim të radhës të qeverisë “Mustafa”. Ai ka shtruar pyetjen se “pse kanë frikë (pushteti) të diskutojnë për atë që është e dyshimtë (vdekjen e Astrit Deharit)?.
“Nuk dihet pse po frikësohen, kjo lë të dyshohet se diçka ka ndodhur në burgun e Prizrenit”, ka thënë Lekaj.
“Protesta gjithëpopullore për të zbardhur vdekjen e Astritit”
Por, lind pyetja, kujt i konvenon mos mbajtja e seancës plenare për Astrit Deharin?
Sipas njohësve të rrethanave politike në vend, mos diskutimi nga ligjvënësit për rastin në fjalë i konvenon vetëm partive në pushtet.
Analisti politik, Faik krasniqi, thotë se tërheqja e nënshkrimeve nga deputetët e catuar është bërë për shkak të trysnisë së Kadri Veselit, gjë që sipas tij edhe ndikoi në mosmbajten e seancës për të ndjerin Astrit Dehari.
“Mmendoj se mosmbajtja e seancës për Astritin po u leverdis atyre që mbajnë përgjegjësi për vdekjen e tij. Mirëpo, duke parë pamundësinë e mbajtjes së një seance për Astritin dhe zvarritjen e rezultateve të obduksionit, protestat gjithëpopullore mbetet i vetmi opsion për të zbardhur të vërtetën rreth vdekjes së tij. Nëse edhe protestat nuk kryejnë punë, atëherë opozita duhet ta bojkotojë këtë Parlament që tashmë është i kapur nga Klani ‘Pronto’”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Ndryshe, në shenjë proteste për mos mbajtjen e një seance për aktivistin e ndjerë Astrit Dehari, deputetët e VV-së dje dolën në ballë të sallës me një pankartë në duar, ku shkruante “Drejtësi”, dhe më pas VV dhe dy subjektet tjera opozitare, AAK dhe Nisma, lëshuan sallën./Nga Blendi Gashi-te sheshi.com/