Në fillim të këtij muaji, Edi Rama dhe Ilir Meta mbushën tre vjet të rilidhjes mes tyre pas një divorci traumatik dhe dramatik ku shkëmbyen fjalë e helme, e që në fund u skalitën në një libër (Kurban-i), ku kreu i PS-së e portretizon aleatin e tij si një qënie amorfe dhe abstrakte, pa shpirt e zemër.
E pra, jemi në vitin e tretë të kësaj bashkëjetese të vështirë, e cila po dëshmohet gjithnjë e më shumë si një ecje e gjatë në tel, sidomos prej Edi Ramës, i cili si kryeministër dhe kreu i kësaj mazhorance ruhet fort mos i ikën “aleati atrategjik” siç e thërret Metën. Në gjithë këto vite janë nxjerrë thika pas shpine dhe fjalë pas veshit, por dhe të tjera gjëra që nuk dihen.
Më të fundit janë historitë e dala në mediat “kërpurdha” që morën shkas nga “zbori” që Edi Rama pësoi nga Ilir Meta, sapo u kthye nga SHBA herën e parë, më 3 tetorin e 2015-ës, kur nuk takoi zyrtarë të lartë në Uashington por bëri foton e përvitshme me Obamën në OKB.
Për 7 muaj me radhë Edi Rama i ka shkuar në zyrë Ilir Metës çdo të mërkurë, madje nga njëherë edhe të shtunave.
Disa e quajtën si “detyrim paraqitje”; disa folën për prishje ashensori që Meta e bëri kastile etj., etj., legjenda provinciale që tregojnë gjithsesi se marrëdhënia mes dy krerëve të mazhorancës është krejt ndryshe, për të qenë miqësore apo e ngrohtë.
Pas zgjedhjeve lokale të 2015-s, PS dhe LSI po ecin në një drejtim thjesht për qeverisje, por çdo gjë tjetër e kanë me anë të kundërt.
Nuk ka ditë që ministrat e PS-së të mos sulmohen nga deputetët e LSI-së, dhe qeveritarët e kësaj të fundit nga deputetët e PS-së. Ajo e Erjon Braçes ndaj Panaritit ishte e fundmja ofensivë.
Por siç mësohet, intriga është më baladeske dhe policeske nga brenda. Pas një “Lufte të ftohtë” nga të dy palët, secili ka nisur të futet në oborrin e tjetrit si për t’i thënë “mos guxo largimin e njëanshëm pasi të prish partinë”.
Megjithëse Meta ka dhënë provat e një njeriu të aftë për këto situata, fakt është se përveçse është bërë politikan më “shqiptar”, Edi Rama është kryeministër dhe ka realisht në dorë frenat dhe lekët, aty ku luhet gjithçka dhe mbldhen njerëzit që në politikë kanë hyrë vetëm për para.
Ndaj, edhe pse duket si çudi, Edi Rama ka hyrë thellë në livadhin e LSI-së prej kohësh dhe po “gjuan” dhe jo keq.
Sa për të ilustruar një, që është rast mjaft tipik dhe i rëndësishëm: deputeti i LSI-së së Shkodrës, Agron Çela, një mik dhe i afërt i kreut të LSI-së, Ilir Meta. Të dy së bashku, përfshirë edhe Petrit Vasilin, pësuan transformimin drastik të rënies në peshë, duke krijuar legjenda për këtë gjë. Por një afrim i Çelës me Edi Ramën u prit shumë keq nga Ilir Meta, i cili ndëpreu menjëherë çdo komunikim me deputetin e tij.
Vetëm pak kohë më parë, ishte vetë kryeministri Rama që hyri në mes me mision pajtimin e deputetit e Shkodrës me eprorin e tij, kreun e LSI-së pra.
Shenjë që demostron në mënyrë spektakolare se Rama i ka nxjerrë Metës armët që ky i fundit i ka përdorur mirë gjithmonë.
Nga ana tjetër, LSI ka nisur të rekrutojë prej kohës pjesën qytetare të socialistëve në Shkodër. Kjo, pas përplasjes me detashmentin “Tom Doshi” dhe përkrahësit e tij nga Nënshkodra të një pjese të degës së PS-së në qytetin e veriut, e cila është shkërmoqur fare që prej humbjes së Keti Bazhdarit në zgjedhjet lokale.
Rasti më i fundit ishte emërimi i Shpëtim Lames, një eksponenti të njohur të socialistëve në Shkodër, në postin e Drejtorit të Hipotekës, nga ana e ministrit Ylli Manjani, me vetë “izmën” e kreut të partisë së tij, Ilir Metës.
Dhe siç po duket, një largim i mundshëm, i njëanshëm i Ilir Metës nga koalicioni nuk është se mund ta rrëzojë direkt Ramën edhe pse i bën dëm të madh.
Ndaj dhe manovrat po luhen më të forta e tronditëse, por pa u ekspozuar, sepse nuk dihet ç’pjell minuti.
Në politikën shqiptarëve të muajve të fundit ku gjërat ndryshojnë në mënyrë marramendëse, duket se një javë është një epokë gjeologjike.
Siç ishte e shkuara “Java e Obamës”, aktualja quhet “java e Shullazit”.
Sinjalet e afërta mes Berishës dhe Metës ditët e fundit dhe dekorimi i kreut të LSI-së nga Nishani, po tregojnë akrepat e një ore ndryshe, që siç duket ka gjasa të kthehet në 2009-n, kur Berisha dhe Meta qeverisën për katër vjet. Por kjo nuk është aq e lehtë, aq e thjeshtë qoftë dhe aritmetikisht, pasi dhe Rama nuk është ai i 2009-ës. Sot ka më shumë pushtet, duke qenë se është në pushtet. Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/