Asnjë zë nga mazhoranca lidhur me patentat e Tahirit. I vetmi që ka folur këtë të shtunë si racion për politikën e ditës, ka qenë kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla. Por jo për Tahirin.
Ai ka zgjedhur ta çojë vëmendjen tek kreu i Bashkisë së Ballshit, Agron Kapllanaj, një ish-i dënuar nga radhët e PD-së, që sipas tij u fal nga Basha.
“Lulzim Basha flet edhe 10 herë në ditë për të tjerët, për krimin dhe të inkriminuarit, por ka 3 ditë që nuk flet për të dënuarin për vjedhje. Është shumë e qartë për të gjithë pse Lulzim Basha po mundohet të sillet si polic, prokuror apo gazetar. Sepse Lulzim Basha nuk bën dot detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike. Kryebashkiaku i Lulzim Bashës, Agron Kapllanaj, është dënuar me 2 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”, por kryetari Basha nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për këtë”, tha kryedeputeti socialist, Taulant Balla. /tesheshi.com/