Tregtarët në Kavajë dhe në Elbasan kanë zhvilluar protesta ndaj aksionit të qeverisë kundër informalitetit, duke kërkuar zbutjen e masave ndëshkuese e uljen e taksave për biznesin e vogël.
Në Elbasan, mbi 250 tregtarë të tregut të fruta-perimeve protestuan me kërkesën specifike për të mos u përfshirë në kategorinë e biznesit të vogël, pasi një gjë të tillë e përkthejnë më shumë taksa. Sipas tregtarëve, nga puna e përditshme në treg ata sigurojnë me mund vetëm të ardhura për mbajtjen e familjeve dhe nuk përballojnë dot shtimin e taksave. Tregtarët dolën përpara drejtorisë rajonale të tatimeve për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Në Kavajë më shumë se 50 tregtarë protestuan ndaj shtimit të taksave, duke thënë se me të ardhurat që nxjerrin nga puna në treg, nuk paguajnë dot as kasën fiskale.
Protestat në Elbasan dhe Kavajë vijnë pas protestës së pak ditëve më parë në Shkodër, ku pjesëmarrja ka qenë më e madhe, pasi qindra tregtarë e qytetarë kërkuan nga qeveria rishikimin e taksave për biznesin e vogël. /tesheshi.com/