Pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, mori më shumë se 400 milionë funte nga miliarderi rus Alisher Usmanov, i cili është nën sanksione pas pushtimit rus të Ukrainës.
Shifrat e nxjerra në dritë nga Guardian tregojnë se Moshiri që nga viti 2020 ka marrë hua 145 milionë paund nga një kompani tërësisht në pronësi të manjatit ruso-uzbek.
Përveç kësaj, midis 2018 dhe 2022, Moshiri shiti aksione me vlerë rreth 270 milionë funte në një kompani, aksioneri më i madh i së cilës ishte Usmanov. Moshiri nuk ka paguar për aksionet, që mund të thotë se ato ishin dhuratë.
Në një zhvillim tjetër, Windfel Properties, në pronësi të Usmanov, i dha hua 70 milionë Moshirit midis 2020 dhe 2022, ndërsa 75 milionë të tjera iu dhanë kompanisë së Moshirit.
Dokumentet që vërtetojnë transaksionet, siç vëren Guardian, janë regjistruar në Qipro.
Usmanov është një nga njerëzit më të pasur në botë dhe thuhet se është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Ai ka pasur prej kohësh lidhje biznesi me Moshirin që së bashku kanë një aksion në Arsenal. Moshiri i shiti Usmanov aksionet e tij të Arsenalit në vitin 2016 për të financuar investimin e tij fillestar në Everton.
Kjo dëshmi, e cila deri më tani mbetej jashtë syve të publikut, ngre pikëpyetje të reja për marrëdhëniet mes dy burrave. Por zbulon gjithashtu pasurinë e vërtetë të Moshirit, vetëm disa ditë pasi ai njoftoi një marrëveshje provizore për t’i shitur Evertonin firmës amerikane të investimeve 777 Partners.
Së fundi, provat që kanë dalë në dritë nuk janë në përputhje me deklaratat e mëparshme të Moshirit se si ai mund të vazhdojë të financojë vetë klubin e Premier League.
Një zëdhënës i Usmanov nuk e mohoi se Moshiri dhe kompanitë e tij “janë borxhli ndaj Usmanovit dhe kompanive të tij”, por nuk dha detaje se si do të shlyhet borxhi.
Në çdo rast, Usmanov i nënshtrohet sanksioneve nga viti 2022 për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, të cilin ai e përshkroi si një veprim “të padrejtë dhe të pajustifikuar” dhe nga shtatori 2021 ai nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar. Qytetarët britanikë nuk mund të transferojnë fonde te personat e sanksionuar pa lejen e qeverisë britanike. /tesheshi.com/