Shqipëria është trimëruar karshi Perëndimit, më saktë BE-së, duke mos mbështetur një deklaratë të kësaj të fundit në lidhje me zhvillimet në Kosovë, duke mbajtur, kësaj here, anën e Prishtinës; pra Rama tashmë është në krah të Kurtit.
Këtë e tha vetë kryeministri gjatë një conference për shtyp në Romë, gjatë një vizite zyrtare aty.
“Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd”, arsyetoi Rama, duke përfshirë kështu në narrativën zyrtare etiketimin “terror” adresuar serbëve.
“Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Europën dhe kemi kërkuar që Bashkimi Europian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”, tha i pari i qeverisjes shqiptare.
Rama vijoi duke thënë se “në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e pare, sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është njëqind përqind linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”. /tesheshi.com/