Gjykata Speciale Ndërkombëtare e Kosovës për Krime Lufte, me seli në Hagë, ka zhvilluar dje pasdreke një takim të rëndësishëm të prokurorit amerikan që merret me hetimet e posaçme dhe të drejtuesve të administratës së gjykatës për të përcaktuar një axhendë të qartë pune.
Që nesër do të mbërrijë në Prishtinë një grup i posaçëm juristësh dhe përkthyesish, të cilët prej një muaji janë emëruar pas një konkursi të detajuar.
Amerikani Clint Williamson ka ngritur një Task-Forcë të ndarë në disa grupe për gjashtë zonat e UÇK-së, prej të cilave do të hartohen gjashtë dosje speciale, që do ta trajtojnë në mënyrë të posaçme të gjithë veprimtarinë e komandave të UÇK-së sipas denoncimeve të ardhura nga serbët, por edhe nga raporti i Dick Marty-t.
Siç mësohet, Williamson ka nisur zbërthimin teorik dhe faktik të ditarëve të luftës së UÇK-së, për të nxjerrë një ekstrakt të veprimtarisë reale të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si konsulent për recensën e ditarëve është marrë një oficer i njohur gjerman në pension, i cili e njeh mirë ligjshmërinë militare të funksionimit të dokumenteve ushtarake.
Pakti me Haradinajn
Dorëheqja nga mandati i deputetit i Ramush Haradinajt ka kaluar pa komente, por me një habi të madhe, nga opinion publik. Siç bëhet e ditur, amerikanët i kanë ofruar atij një lehtësi në procedurat e hetimit nëse ai nuk do të bëhet pengesë nëpërmjet statusit të tij juridiko-politik.
Dhe mungesa e mandatit të deputetit po përkthehet gjithnjë e më shumë si largim i “butë” i Ramushit nga politika aktive, deri tek tërheqja përfundimtare, vetëm nëse pas disa vitesh ai do të thirret në një post mbi palët, siç është ai i presidentit të Republikës.
Megjithatë, kjo teori ka shumë pak gjasa, dhe Haradinaj tashmë mund të quhet një politikan që po shkon drejt tërheqjes taktike, të paktën deri sa të mbarojë punë Gjykata Speciale. /tesheshi.com/