Nga Jonathan Cook
Politikanët palestinezë në Izrael kanë gjetur një aleat të papritur brenda qeverisë kundër një projektligji të ri që i ndalon xhamitë të përdorin altoparlantët për të përcjellë ezanin, thirrjen për namaz.
I ashtuquajturi “Projektligji i Muezinit”, i emërtuar kështu duke iu referuar personit që i thërret muslimanët në namaz, u miratua të dielën nga një komitet ministerial, me arsyetimin se nevojitet për të zvogëluar “ndotjen akustike” nga xhamitë.
Por një votim i parë në parlamentin izraelit të mërkurën për ligjin do të shtyhej pasi një parti e vogël fetare hebreje paraqiti kundërshti.
Yaakov Litzman, ministri i Shëndetësisë, u raportua të qe i shqetësuar se formulimi aktual i ligjit, që flet thjesht për “shtëpitë e adhurimit”, mund të përfshinte gjithashtu sinagogat. Sirenat përdoren shpesh për të lajmëruar nisjen dhe mbarimin e Sabatit.
Udhëheqësit palestinezë në Izrael druhen se tërheqja do të jetë jetëshkurtër. Projektligji ka mbështetje të gjerë brenda qeverisë, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.
“Ky projektligj është produkti i shëmtuar i islamofobisë që po e dominon Izraelin,” thotë Thabet Abu Ras, i Fondit Abraham, që nxit marrëdhënie më të mira midis qytetarëve palestinezë dhe hebrenj të Izraelit.
“Tani qeveria do të përpiqet ta riformulojë projektligjin për t’i kënaqur partitë fetare hebreje, kështu që ai të mund të bëjë përpara.”
Udhëheqësit palestinezë kanë deklaruar që në krye të herës se projektligji nuk kishte të bënte me zhurmat, por kërkonte t’i bënte xhamitë të heshtnin. Një dyshim i konfirmuar, shprehet Abu Ras, nga pajtimi i qeverisë për ta riparë legjislacionin që t’u jepet zgjidhje shqetësimeve të Litzman-it.
Izraeli përfshin një komunitet prej 1.7 milionë qytetarësh palestinezë, një e pesta e popullsisë, shumica e të cilëve janë muslimanë. Izraeli gjithashtu ushtron pushtet mbi 300.000 palestinezë të tjerë në Jerusalemin Lindor të pushtuar, të aneksuar në shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Presioni për legjislacionin është veçanërisht i fuqishëm nga kolonët në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Nismëtari kryesor i projektligjit, Moti Yogev, i partisë Shtëpia Hebreje, jeton në një ngulim të Bregut Perëndimor.
Xhamitë në Bregun Perëndimor dhe në Izrael janë bërë në mënyrë të përsëritur me grafit apo u është vënë zjarri nga ekstremistët hebrenj.
Kur projektligji u paraqit fillimisht më herët këtë vit, kufizimet mbi altoparlantët e xhamive u justifikuan me argumentin se do të pengohej përhapja e “nxitjes” dhe e “mesazheve fetare apo nacionaliste”.
Projektligji do të rihartohej pasi këshilltarët ligjorë të qeverisë shprehën shqetësim. Janë këto ndryshime që duket tani të kenë ngritur dyshime midis dy partive të vogla fetare hebreje, Shas-it dhe Judaizmit të Torës së Bashkuar. Të dyja janë në qeveri.
Abu Ras i tha Al Jazeera-s: “Izraeli i ka tashmë ligjet e ndotjes akustike, që rrallë i vë në zbatim. Ky projektligj është tregues i atmosferës së tanishme të Izraelit, i intolerancës në rritje ndaj qytetarëve të tij johebrenj.”
Ai tha se objektivi kryesor i projektligjit ishte judaizimi i mëtejshëm i Jerusalemit, dhe do të përdorej kundër xhamisë el-Aksa në Qytetin e Vjetër. Xhamia është bërë një pikë ndezëse, me shqetësimin në rritje nga palestinezët se Izraeli po kërkon kontroll edhe më të madh mbi atë vend.
Youssef Ideiss, ministri për çështjet fetare i Autoritetit Palestinez, paralajmëroi këtë javë se projektligji rrezikonte ta zhyste rajonin në një “luftë fetare”. Jordania, e cila i mbikëqyr çështjet fetare në xhaminë el-Aksa në Jerusalem, e shtoi të martën kundërshtinë e saj. Abdullah Abbadi, ministri i çështjeve islame, e akuzoi Izraelin për dëmtim të statukuosë delikate në Jerusalem.
Ai deklaroi se, duke patur parasysh që Izraeli ishte një fuqi pushtuese, çdo ndryshim që ai bënte në Jerusalem qe “i pavlefshëm”.
Ndonëse thirrja për namaz kryhet pesë herë në ditë, është thirrja para agimit që ka provokuar reagimin kryesor nga hebrenjtë izraelitë, veçanërisht nga ata që jetojnë pranë Jerusalemit Lindor dhe dhjetëra bashkësive palestineze në Izrael.
Në mbështetje të projektligjit, Netanyahu ka thënë se ishte i angazhuar ndaj lirisë fetare për të tërë, por se “ishte gjithashtu përgjegjës për mbrojtjen e qytetarëve nga zhurma. Kështu ngjet në qytetet në Europë. Unë mbështes legjislacionin dhe zbatimin e ngjashëm në Izrael.”
Një raport i autorizuar nga parlamenti izraelit në vitin 2011 gjeti se një sërë vendesh europiane kishin vendosur kufizime mbi ezanin, duke përfshirë Francën, Belgjikën, Austrinë dhe Holandën. Xhamitë janë ndaluar në Zvicër të ngrejnë minare.
Haneen Zoabi, një anëtare palestineze e parlamentit izraelit, e quajti “qesharak” krahasimin me Europën. Ajo i tha Al Jazeera-s: “Nëse Netanyahu e admiron vërtet kaq shumë Europën, kush e pengon të kthehet atje?” Ajo shtoi se hebrenjtë që ndjeheshin të prekur nga zëri i xhamisë ishin ata të cilët kishin zgjedhur të vendoseshin pranë bashkësive palestineze në Izrael apo në territoret e pushtuara.
“Çështja nuk ka të bëjë me zhurmën në veshët e tyre, por me zhurmën në mendjen e tyre. Ajo çka i shqetëson kaq shumë është zhurma e pranisë së palestinezëve në atdheun e tyre. Netanyahu dhe racistët e tjerë në qeveri ende sillen si kolonialistë që refuzojnë ta pranojnë e ta ngulisin brenda tyre se ata duhet të jenë pjesë e rajonit ku jetojnë.”
Një tjetër ligjvënës palestinez, Ahmad Tibi, bëri thirrje këtë javë për një fushatë mosbindjeje civile për ta bllokuar projektligjin. Të martën, Yisrael Beiteinu, partia e ministrit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, i kërkoi prokurorit të përgjithshëm ta hetonte atë për “nxitje dhune”.
Mbështetja për “Projektligjin e Muezinit” është veçanërisht e fortë në ngulimet e mëdha hebreje në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Rreth 200.000 kolonë jetojnë atje pranë komuniteteve palestineze.
Ka raportime se ushtarët izraelitë kanë bastisur së fundi xhamitë në Ebu Dis, një fshat në Bregun Perëndimor, pranë Jerusalemit, dhe e kanë ndaluar thirrjen e ezanit.
Abu Ras thotë se projektligji qe zhvillimi më i fundit në një seri sulmesh mbi Islamin në Izrael.
Marrë me shkurtime nga Al Jazeera
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/