Ernest Luma është shembulli i zëdhënësit që është ndëshkuar nga keqpërdorimi i mjetit të tij të punës: fjalës.
Ditë pas dite, ai hodhi në eter fraza të rënda që preku sedra por edhe ndjenja. “Gjuha kocka s’ka po kocka bluan”, është proverbi që i shkon përshtat njeriut që media e ngriti, por edhe e uli, pasi rëndoi dhe trondtiti njerëz dhe shtresa, që në fakt nuk i kishin asnjë hak.
Ai ka qenë gazetar dhe redaktor përgjegjës në mediat e Kosovës pas përfundimit të luftës. Nga viti 2004, iu bashkua partisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj ku për plot 11 vite ushtroi postin e zëdhënësit të partisë.
Në ‘Qeverinë Haradinaj’ (2005-2007), ishte emëruar në pozitën e këshilltarit. Gjatë këtyre viteve themeloi edhe gazetën e përditshme ‘Nacional’, por nuk i eci mbarë, pasi kjo gazetë u mbyll pas pak kohësh. Është autor i shumë shkrimeve dhe bashkëautor i një libri faktografik për historikun e luftës së Ushtirsë Çlirimare të Kosovës.
Por, opinioni më së miri e njeh si zëdhënës të AAK-së, post nga i cili u largua para pak muajsh. Është ky Ernest Luma, i cili të premten (18 shtator 2015), përfundimisht u largua nga partia në të cilën bëri emër, ku për 14 vite dha kontributin e tij.
Luma, njihet për shumë deklarata dhe postime të pamatura lidhur me aktivitetet e AAK-së më shumë e ka dëmtuar sesa e ka kryer rolin e tij prej zëdhënësi.
Këto deklarata atij i kushtuan me humbjen e pozitës së zëdhënësit, pozitë të cilën ia ‘rrëmbeu’, gazetari dhe analisti i njohur Muharrem Nitaj.
Luma, pas largimit nga pozita e zëdhënsit u emërua anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të AAK-së dhe ishte kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga kjo parti.
Luma, siç duket harroi deklaratat e pamatura dhe vazhdoi të njëjtën rrugë, por që i kushtoi shumë rëndë.
Ishte e papërballueshme për AAK-në, statusi i bërë mëngjesin e së premtes nga Luma për besimtarët që u nisën për të kryer një nga detyrimet që kanë para Zotit: Haxhin.
“Shkofshi e mos u kthefshi”, shkroi ai, në profilin e tij në Facebook. Ky status dhe gjuha që përdori ai, ishte e papranueshme për AAK-në dhe vendimtare për të vulosur shkarkimin e tij nga partia, pasi Ramush Haradinaj u distancua nga gjuha që përdori ish- zëdhënësi i partisë.
Pas, pak orësh, Luma shkroi në Facebook se urimi i tij për pelegrinët e Haxhit nuk kishte asnjë qëllim të keq, duke thënë se ai urim është tradicional për myslimanët që shkojnë në haxh.
Në fakt, disa nga deklaratat e pamatura të Lumës ishin, kur ai hartoi një listë të njerëzve që ai i cilësoi si tradhëtarë, ku analistin nga Shqipëria, Fatos Lubonja, gazetarin nga Kosova, Berat Buzhala i krahasoi me kryekriminelin Slobodan Millosheviq.
Deklaratë tjetër e Lumës që ngriti pluhur, ishte edhe kur krahasoi me ‘kafshë’, gazetarin e njohur Milaim Zeka.
/tesheshi.com/