Atmosfera te Reali i Madridit do duhej të ishte ndryshe këtë verë pas sukseseve të fundsezonit, që nga fitimi i La Ligës te ai i Champions League-s. Zërat për largimin e Ronaldo-s kanë krijuar pështjellim; një situatë që kërkon zgjidhje, teksa bëhet fjalë për lojtarin qendror të klubit madrilen.
Florentino Perez, presidenti i Realit, që do të vazhdojë të jetë i tillë në katër vitet e ardhshme, i ka deklaruar një radiostacioni spanjoll se do të flasë me Ronaldo-n pas përfundimit të Kupës së Konfederatave.
“E vetmja gjë që mund të them është se Cristiano Ronaldo mbetet një lojtar i Realit të Madridit,” i ka thënë Perez stacionit radiofonik.
“Qartas, diçka ka ngjarë, diçka që e ka prekur atë. Jam i sigurt se ai do të na e thotë dhe do të shohim. Ajo (Kupa e Konfederatave) nuk ka përfunduar ende, dhe unë nuk dua ta shqetësoj ekipin portugez.”
Perez është shprehur i bindur se nuk bëhet fjalë për para, por për diçka tjetër.
“Ai thjesht kërkon të jetë lojtari më i mirë në botë. Nëse Cristiano kërkon të largohet nga Reali i Madridit, nuk do të jetë për para.” /tesheshi.com/