Po përgatitet nisma për kandidaturën e ish-presiodentit malazez Milo Gjukanoviç për Zv/Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, e cila mbështetet nga nëntë anëtarë të Aleancës, përfshirë edhe Turqinë.
Pas kësaj nisme qëndrojnë nëntë anëtarë të NATO-s, përfshirë edhe Turqinë, sipas burimeve të larta diplomatike, shkruan portali turk Firtina Haber.
Në dokumentin që patën rastin ta shohin mediat turke, në shpjegimin për zgjedhjen e Gjukanoviçit thuhet se lidershipi i tij ishte kryesor në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe në ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe tolerante në vend. Theksohet gjithashtu fakti se Mali i Zi u përball me presion të fortë nga Rusia gjatë procesit të anëtarësimit në NATO, i cili kulmoi me një tentativë për grusht shteti të armatosur në 2016.
Për më tepër, kandidatura e Gjukanoviçit ka një rëndësi simbolike për anëtarët e NATO-s të Evropës Lindore, të cilat duan të përfaqësohen në nivelet më të larta të Aleancës.
Nëse Gjukanoviç merr mbështetjen e disa anëtarëve të tjerë të NATO-s, kjo iniciativë mund të merret seriozisht parasysh gjatë procesit të zgjedhjes së posteve më të larta në NATO, veçanërisht në samitin jubilar në Uashington muajin e ardhshëm.
Duke pasur parasysh faktin se procesi i zgjedhjes së Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s tashmë është duke u zhvilluar për Mark Rutte, ish-kryeministrin e Holandës, kandidatura e Gjukanoviçit për Zv/Sekretar të Përgjithshëm paraqet një hap të rëndësishëm për forcimin e ndikimit të anëtarëve të Evropës Lindore në NATO. /tesheshi.com/