Saimir Sulaj, Washington
Situata politike paszgjedhore në Kosovë përbën interes edhe për shqiptarët këtej Atlantikut, por edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë amerikanë. Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi ka reaguar së fundmi pas zërave se koalicioni mes Partisë Demokratike, Nismës për Kosovën dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mund të kërkojnë ndihmën e deputetëve serbë në formimin e qeverisë së re.
Në një koment të fundit, zoti DioGuardi, i njohur gjerësisht në botën shqiptare për rolin e tij në ndihmë të Kosovës, sidomos gjatë luftës, shprehet se e ardhmja e Kosovës si shtet sovran është në rrezik, nëse shqiptarët nuk arrijnë dot numrin magjik të 61 deputetëve, për të qeverisur pa u kushtëzuar nga Lista Serbe.
“Shqiptarët e Kosovës tani duhet të formojnë një koalicion qeverisës me së paku 61 deputetë shqiptarë, përndryshe e ardhmja e Kosovës si shtet sovran rrezikohet në mënyrë të ashpër. Shteti i Kosovës duhet të jetë tërësisht i lirë prej Serbisë dhe ndikimit që Serbia ka mbi serbët e Kosovës, të cilët kanë automatikisht 20 vende në Parlamentin prej 120 deputetësh të Kosovës. Mos harroni që Serbia duhet ende që të njohë pavarësinë e Kosovës, kur kanë kaluar thuajse 10 vjet tashmë. Ajo mbetet e angazhuar që të mos e njohë pavarësinë, edhe kur 115 nga 193 shtete të Kombeve të Bashkuara e kanë bërë këtë, që prej 17 shkurtit 2008. Serbëve, ashtu si rusëve, nuk mund t’u zihet besë kur flitet për të ardhmen e Kosovës, të cilën qeveria serbe në mënyrë të rremë e cilëson si “Jeruzalemin” e tyre, duke nënkuptuar në mënyrë të egër se Kosova është djepi i kombit serb, bazuar në një fitore mitike në betejën e zhvilluar së bashku me shqiptarët, kundër ushtrisë osmane në vitin 1389 në “Fushën e zogjve” që ndodhet në Kosovë”, shprehet DioGuardi, i cili njëherësh është edhe president i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, organizata e parë lobiste në kryeqytetin amerikan Washington.
I kontaktuar nga portali tesheshi.com, DioGuardi e konfirmon reagimin e tij dhe thekson edhe një herë që prania e deputetëve serbë në koalicionin e ardhshëm qeverisës, si vendimtarë për numrat që i nevojiten qeverisë së re, do të rrezikojë të ardhmen e Kosovës. /tesheshi.com/