Nga Ermir Hoxha
Si për shumë aspekte të tjera, edhe në raste përmbytjesh është e pamundur që në Shqipëri të mos bëhet politikë.
Aktorët e saj, përpiqen të gjejnë arsyetime në varësi të pozicionit, në pushtet a opozitë, por sidomos nga kjo e fundit, për të përligjur një akuzë, një telendisje të kundërshtarit. Dhe ja, këtë të shtunë, pas dy ditësh shira të furishëm të cilat kanë rezultuar me përmbtje në disa zona të vendit, janë kanë behur dhe reagimet e para.
Po zgjedhim disa prej tyre, nga kahja e opozitës.
Kreu demokrat Lulzim Basha, pasi ka qenë në Bashkinë e Kamzës, ka akuzuar Erion Veliajn si rrëmbyes me të padrejtë të ekskavatorit të kësaj bashkie.
“U takova me familjet e përmbytura në Bashkinë e Kamzës. Dëmet janë të mëdha. Kryebashkiaku Mziu është pa mbështetjen e autoriteteve, por ia ka dalë të ndihmojë mbi 250 familje të rrezikuara. Banorët më treguan se u përmbytën për shkak të shkarkimit të liqenit të Bovillës pa u paralajmëruar. Inkurajova kryebashkiakun Xhelal Mziu të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve me mjetet që ka në dispozicion. Zoti Mziu më tha se eskavatorin që i takonte me vendim qeverie, ia ka marrë Bashkia e Tiranës. Deri tani, në zonë ka shkuar vetëm një makinë ushtrie për 11 persona në rrezik. Megjithatë, i kërkova zotit Mziu dhe banorëve që takova, që të kenë prioritet evakuimin e qytetarëve”, tha Basha.
Më tej, është i gjithmonshmi në të tilla raste, nr.2 i LSI-së, Petrit Vasili. Njeriu që mëton se po dërmon ish-shefin e tij në qeveri deri pak muaj më parë, kryeministrin Rama, e ka çuar fjalën sërish tek palmat. Ja ç’shkruan Vasili:
“Drejtori i Emergjencave Civile ne 23 nentor 2015 per permbytjen shume me te vogel,qe ndodhi atehere ne autostrade deklaronte qarte se shkaku jane palmat.
Dihet qe palmat dhe gomarlleqe te tjera si keto ishin projekti i kryegenjeshtarit per gjoja sic i quante ai “mobilimin” e rrugeve.
Në studion e Report Tv, Prençi ne 23 nentor 2015 ja ç’thoshte:
‘Nuk jam me profesion inxhinier por dua të them që niveli i kanalit në të dyja anët e autostradës është ngushtuar dhe është cektuar, nuk është studiuar mirë niveli i prurjeve. Në një projekt shtetëror ku merren mijëra euro nuk duhet të pyetet drejtori i Emergjencave, ai mund të pyetej më parë. Segmenti nga ura e Kasharit deri te kthesa e Kamzës është rikonstruktuar por nuk është ruajtur thellësia e kanaleve kulluese e cila duhet të ishte ruajtur patjetër. Ky kanal si mund të bëhet më i cekët? Duhet të ishte bërë më i thellë, të lidhej më Lanë. Është gabim inxhinierik. Për mua inxhinerët duhet të pyeten, të merren në pyetje nga prokuroria, madje duhet të hetohen sepse ne nuk kemi nevojë për rrugë të bukura por për rrugë funksionale’”, përfundon statusi i Vasilit.
Më tej, është deputeti demokrat Bylykbashi, i cili ka zgjedhur që nëpërmjet “rrugës së ujit” të denoncojë Dakon e Durrësit.
“Këto foto të përmbytjeve janë në ish-bashkinë e Sukthit dhe në ish-komunen e Katundit të Ri në Bashkinë e Durrësit, në kontrast të dhimbshëm me pemën festive të Dakos mbi gërmadhën e Velierës në Durrës. Janë dy vite rresht që kjo zonë përmbytet. Sigurisht, nëse shpenzon 8 milion euro beton për Velierën në qendër të Durrësit dhe disa miliona euro të tjera për qepje-shkepjen e rrugës së plazhit, betonizimin e sheshit të qytetit edhe me taksat e banorëve të Sukthit apo Katundit te Ri, sigurisht nuk mbetet më asnjë qindarkë për të pastruar kanalet e kullimit me qëllim që reshjet e shiut të mos përmbytin shtëpite, bagëtitë dhe tokat, apo së paku të minimizohen dëmet”, shkruan Bylykbashi.
Nga ana tjetër, edhe pse kryeministri Rama nuk e ka përfshirë fare opozitën në fjalorin e tij “të ujshëm”, për shkak të përmbytjeve, përkundrazi ka falenderuar rivalin Basha për ndjeshmërinë e treguar dy ditë më parë në parlament, ka gjetur rastin të bëjë pak autoreklamë duke thënë se kësaj here pasojat nuk janë ato të para tre viteve…falë qeverisë. /tesheshi.com/