Policia spanjolle bastisi qendrën e telekomunikacionit dhe të teknologjisë informative të qeverisë katalanase të shtunën, njoftoi gazeta La Vanguardia, duke cituar stacionin radiofonik RAC1.
Policia dhe Ministria e Brendshme e Spanjës nuk mund të konfirmonin bastisjen. Një gjykatës të premten urdhëroi kompaninë Google që të heqë një aplikacion që jepte informacione rreth referendumit të ndaluar katalan për pavarësinë nga Spanja, e planifikuar për të dielën.
Ndërkohë, policia katalanase u tha prindërve se duhet të lirojnë shkollat në mënyrë që zyrtarët të mund të kryejnë urdhrat për të penguar votimin katalanas.
Prindërit që mbështesin referendumin janë organizuar në të gjithë rajonin verilindor për të uzurpuar shkollat gjatë gjithë fundjavës, në mënyrë që ato të mund të përdoren si vendvotime të dielën në mëngjes.
Sesionet të jogës, shfaqje të filmave dhe pikniqe janë organizuar në disa prej 2,315 objekteve të votimit. Në këtë mënyrë mbështetësit e referendumit po përpiqen të pengojnë policinë nga mbyllja e këtyre objekteve.
Qeveria spanjolle e konsideron referendumin të paligjshëm dhe Gjykata Kushtetuese e vendit e ka pezulluar atë, por separatistët rajonalë janë zotuar të shkojnë përpara me votimin.
Forcat policore katalane janë urdhruar që të zbrazin ndërtesat deri të dielën në mëngjes. Zyrtarët janë udhëzuar që të mos përdorin dhunën për të larguar prindërit dhe studentët.
Mënyra se si 17,000 punonjësit rajonalë do t’i përgjigjen këtij urdhëri, shihet si çelësi i suksesit apo i dështimit të votimit të planifikuar. /tesheshi.com/