Policia e Kosovës nga e premtja do të fillojë reduktimin e pjesëtarëve të saj edhe për 25 për qind brenda dhe rreth objekteve komunale në katër komuna në veri të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia e Kosovës njoftoi se është mbajtur një takim pune në mes të Policisë, EULEX-it dhe KFOR-it, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në dhe rreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Takimi u mbajt, siç u tha, në funksion të zbatimit të detyrimeve dhe kompetencave kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bratislavë më 10 korrik të këtij viti ndërmjet Bashkimi Evropian dhe Kosovës.
“Sipas vlerësimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, gjendja e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet e mirë. Sa i përket këtij konstatimi të përbashkët, nga dita e premte do të fillojë reduktimi i personelit policor për 25 për qind brenda dhe rreth objekteve komunale në veri”, thuhet në njoftim.
Pas marrëveshjes në Bratislavë, qeveria e Kosovës deklaroi se publikisht kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të kontribuuar në deeskalimin e situatës dhe duke mos ndërmarrë veprime që mund ta përshkallëzojnë situatën në veri të Kosovës. Kjo përfshin një reduktim të menjëhershëm prej 25 përqind të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, dhe se së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in, gjendja e sigurisë do të vlerësohet si e nevojshme, veçanërisht për të konsideruar reduktime të mëtejshme në praninë e policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.
Qeveria e Kosovës, po ashtu në përputhje me marrëveshjen nga Bratislava, këtë javë ka formuar një grup punues i cili do të përgatisë një udhëzim administrativ për gjetjen e zgjidhjes ligjore për tërheqjen e kryetarëve aktualë të zgjedhur në zgjedhjet e prillit në katër komuna në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb. Kjo do të hapte rrugën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në ato komuna. /tesheshi.com/