Nga Bashkim Kastrati
Çështja e martesave të gjinisë së njëjtë është një temë që po trajtohet kohë pas kohe edhe në Kosovë. Në shoqërinë e Kosovës ka mendime të ndryshme sa i përket kësaj çështje. Këtë konfuzitet e ka rritur edhe me shumë Kushtetua e Kosovës, pasi që disa e interpretojnë atë në atë mënyrë duke thënë se lejohet martesa ndërmjet gjinive të njëjta, ndërsa një pjesë tjetër e thotë të kundërtën.
Në vitin 2014 ishte raportuar për një kërkesë për martesë ndërmjet gjinisë së njëjtë në qytetin e Kaçanikut, por që më vonë është demantuar ky lajm. Zyrtarët e kësaj komune kanë konfirmuar se ai informacion ishte jo i vërtetë dhe se zyra e ofiqarisë nuk ka pranuar një kërkesë të tillë. Lajmi në fjalë pati shkaktuar debate dhe polemika të shumta në shoqërinë e Kosovës, sidomos pasi që vinte nga një qytet që njihet me një popullatë që e praktikojnë fenë islame.
Për këtë çështje pati folur dhe Enver Hasani në kohën sa ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Ai gjatë një vizite në Shkollën e Drejtësisë SMU Dedman në Dallas të SHBA-ve, ka thënë se martesat e gjinisë së njëjtë janë të lejuara me ligj në Kosovë.
Kjo deklaratë erdhi pas një pyetjeje të drejtuar ndaj Hasanit gjatë prezantimit me temën “Roli dhe Pozita e Gjykatës Kushtetuese në Evropën Jug-lindore me Referencë të Veçantë Kosovën”. Kur u pyet nëse martesat e gjinisë së njëjtë lejohen në Kosovë, Hasani ka thënë: “Mënyra se si e definon Kushtetuta martesën e bën të qartë se e lejon edhe martesën mes gjinisë së njëjtë pa ndonjë problem”.
Ja çka thonë kushtetuta dhe ligjet në fuqi:
Në fakt Kushtetua e Kosovës nuk specifikon një gjë të tillë, pra se lejohen martesat ndërmjet dy personave me gjini të njëjtë. Ja çfarë thuhet në nenin 37 të Kushtetutës së Kosovës:
Neni 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes]
- Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë
familje në pajtim me ligjin.
- Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
- Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj.
Pra, nga kjo që thuhet në këtë nën me dy paragrafë, nuk definohet se a lejohet një martesë e llojit të tillë vetëm se martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj. Por po të shikojmë aspektin juridik(duke u bazuar në ligj) atëherë Ligji i Familjes, përkatësisht neni 14. Martesa thotë:
(1) Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht në mes të dy personave të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku me qëllim të krijimit të familjes.
(2) Mashkulli dhe femra kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.
Ligji për Familjen gjithashtu është i qartë sa i përket edhe fejesës. Në nenin 9 të këtij ligji duhet se “fejesa është premtim reciprok i dy personave me gjini të kundërta për t’u martuar në të ardhmen”.
Pra Kushtetua e Kosovës e lejon martesën dhe krijimin e familjes në pajtim me ligjet në fuqi, ndërsa ligjet në fuqi janë të qarta rreth kësaj çështje se martesa duhet të lidhet ndërmjet dy personave me gjini të kundërt.
Duke u bazuar në interpretimin e këtij ligji mbi familjen në mënyrë që të mundësohet një martesë legale, atëherë i bie që në të vërtetë martesa mes dy gjinive të njëjta nuk është e lejuar dhe nuk përputhet me ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës, për faktin se pikërisht Neni 14, pika 1 dhe 2 e definojnë një gjë të tillë.
Me këtë ligj, lë të nënkuptohet se është e papranueshme dhe nuk konsiderohet krijimi i familjes, përmes martesave të personave të gjinisë së njëjtë, përkatësisht një gjë e tillë është e ndaluar dhe sanksionuar me ligj.
Sidoqoftë për këtë çështje ka interpretime të ndryshme nga personat që përkrahin lidhjet martesore të gjinive të njëjta, nga juristë dhe aktivistë të shoqërisë civile, por duke marrë për bazë aspektet juridike, pra të ligjeve që aktualisht janë në fuqi, martesa ndërmjet dy personave me gjini të njëjtë nuk lejohet me ligjet aktuale në fuqi të Kosovës. /tesheshi.com/