Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur me të tjera argumenta importin e mbetjeve, të cilat si opozita e si shoqëria civile i emërton si “plehra”.
Në fillim, Rama sqaroi se sipas tij, mafia lufton importin e mbetjeve:
“Në vitin 2013, Shqipëria riciklonte pak më shumë se 10% të mbetjeve, ndërsa sot 17%. Shifër shumë e ulët, por ju them se Italia riciklonte 18% të mbetjeve në vitin 2014. Në Itali gjendet kupola e mafias së plehrave dhe riciklimi ka armik të betuar: mafian. Mafia është e vendosur që të bëjë çmos që të mos lejojë riciklimin. Arsyeja: mjafton të shikoni Napolin. Kur Napoli mbushet me plehra, është koha e firmosjes së kontratave për groposje. Nëse plehrat riciklohen, nuk groposen dot dhe humbja në para’ e atyre që groposin, do të ishte shumë e madhe”, tha shefi i qeverisë shqiptare.
Më pas ai tha se opozita nuk e ka të qartë ende se çfarë po flet: “Ju nuk e bëni dot dallimin midis plehrave dhe mbetjeve. Ligji i ri nuk lejon importimin e plehrave nga jashtë. E dyta, e ndalon djegien apo groposjen e mbetjeve të importuara. E treta, nuk lejon dhënie liçencash për import mbetjesh për subjekte që nuk zotërojnë fabrikën përkatëse që nuk përpunon mbetjet. E katërta, ndalon çdo subjekt me fabrikë që të importojë mbetje më shumë se kapacitetet e veta përpunuese. E pesta, ligji i ri vjen kur industria joricikluese i ka ezauruar të gjitha kapacitetet për të mbledhur më shumë mbetje në vend”.
Ndërkohë, edhe në parlament, opozita i mëshoi fort shkuarjes në referendum për çështjen e importit të mbetjeve. /tesheshi.com/