Michel Platini, njëherë e një kohë një prej futbollistëve më të mirë në botë, e më pas njeriu më i pushtetshëm i futbollit europian për vite të tëra, nuk ka arritur ta fitojë çështjen në CAS, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Paneli prej tre gjykuesish vetëm e ka zbritur në katër vite kohën e dënimit të tij për të qëndruar larg futbollit dhe institucioneve përkatëse.
Platini dhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, qenë shpallur fajtorë për një pagesë milionëshe për francezin në vitin 2011. Kjo pagesë, sipas dy figurave të larta drejtuese të futbollit, qe bërë për një punë këshilluese, e vlerësuar në kuadër të një “marrëveshjeje xhentëllmenësh”.
Të dy fajtorët qenë dënuar fillimisht me nga tetë vite, për të zbritur në gjashtë vite pezullim pas gjykimit nga Komiteti i Apelit i FIFA-s.
Platini njoftoi se do të tërhiqet nga detyra e presidentit të UEFA-s, duke e konsideruar gjykimin një padrejtësi të madhe. Ai premtoi se do ta vijonte betejën ligjore në gjykatat zviceriane, për të provuar pafajësinë e tij.
CAS-i e cilësoi sjelljen e francezit si joetike apo jobesnike.
Ndërkaq, UEFA ka lajmëruar se do të mblidhet më 18 maj për t’i diskutuar hapat e mëtejshëm. Duke sqaruar gjithashtu se nuk do të ketë një president të përkohshëm të organizmit më të lartë të futbollit në Europë. /tesheshi.com/