Një plan i fundit po harrtohet në zyrat e Brukselit ku realisht është “gatuar” gjithçka për reformën në drejtësi, por që po vonohet, si pasojë e dërgimit të Vettingut në Kushtetuese. Ky plan po merr parasysh edhe faktin se me fitoren e Donald Trump në SHBA mund të zbehet roli i Amerikës në proçesin e spastrimit të politikës dhe drejtësisë në Shqipëri. Ky plan mësohet se ka marrë edhe dakordësinë nga krerët e lartë të qeverisë së Angela Merkel, të cilët kanë drejtuar në mënyrë operative disa super-operacione që janë ndërmarrë në Europë, për të arrestuar baronët shqiptarë të drogës në disa vende europiane.
Disa prej krerëve të bandave kanë nxjerrë emra të mëdhenj në Tiranë, që sipas tyre qëndrojnë në krye të të gjithë biznesit që ka menaxhuar paratë e drogës. Dhe sipas gjasave, ekziston mundësia që këta krerë të hetohen në vendet e Europës, pasi trafiku i drogës është bërë në territorin europian dhe vende të ndryshme mund të kërkojnë ekstradimin.
Fiks një muaj më parë është kryer në Europë super-operacioni që “tesheshi.com” e kishte paralajmëruar që më 7 shtator. Janë arrestuar disa nga “baronët” shqiptarë të krimit, prej të cilëve disa nga më të rrezikshmit, që trurin e organizatave të tyre e kanë në Tiranë, ku kanë investuar milionat. Operacioni i koduar “Ciconia Alba” është organizuar nga Europol dhe fokusi kryesor ka qenë në Gjermani, ku agjentë shqiptarë janë dërguar në terren përkrah kolegëve gjermanë. Aksioni ka zgjatur një javë dhe kanë marrë pjesë 52 shtete e 5 agjenci ndërkombëtare kundër krimit të organizuar.
Në përfundim të tij, janë sekuestruar 2.3 tonë kokainë, 181.550 euro, ndërsa janë shpëtuar nga rrjetet e trafikut 529 persona. Numri i të arrestuarve është 314. Operacioni komandohej nga një qendër koordinuese operacionale me bazë në selinë e Europolit, në Hagë. Nga ana e saj, Policia e Shtetit, përveçse me agjentë në terren ka kontribuar edhe duke shkëmbyer informacione me policitë partnere.
Informacionet e mbledhura gjatë operacionit anti-trafik kanë çuar në nisjen e 449 hetimeve të reja. Një pjesë e “baronëve” janë kthyer tashmë në dëshmitarë të mbrojtur, në të “penduarit” e parë të zbërthimit të “oktapodit” shqiptar të krimit dhe korrupsionit. /tesheshi.com/