Bujar Nishani, përpara se t’i dorëzonte postin nr.1 të shtetit pasaradhësit të tij Ilir Mta, doli para mediave dhe bëri një bilanc të mandatit të tij pesëvjeçar, kështu “a caldo” kur thonë italianët, pa lënë të ftohet situata që gjykimi të jetë me një prespektivë më të largët.
Në fakt, për të analizuar pesëvjeçarin e Presidentit Nishani, duhet të kalojë pak kohë, por edhe pjesë nga mandati ri i Presidentit të ri Ilir Meta.
Megjithatë mund të thuhet se mandati i Bujar Nishanit ka pasur dy panorama apo dy pjesë të ndryshme në pesëvjeçarin 2012-2017.
Në vitin e parë dhe disa muaj në vijim, Bujar Nishani ka qenë si kryetar shteti një noter i “lehtë” për qeverinë e z. Berisha, ndërkohë që është shfaqur kundërshtar dhe kritikues i ashpër i qeverisë së Edi Ramës.
Ky model i dyzuar i Bujar Nishanit vihet re shumë qartë sapo merr detyrën.
Gjëja e parë që bën me breshëri: shkarkon Kryeprokurorin e Republikës dhe Kreun e SHISH, duke emëruar menjëherë, pa asnjë kandidaturë alternative propozimet preferenciale të kryetarit të qeverisë.
Nishani sharkoi Ina Ramën, me pretendimin se ka mbushur mandatin 5-vjeçar, ndërkohë që kishte një debat mes juristëve, që thonin se mandati 5-vjeçar i Kryeprokurorit fillon atëherë kur është përcaktuar nga ndryshimet kushtetuese, pra në vitin 2008, pasi nuk është vënë një dispozitë kalimtare që ta rregullojë këtë aspekt siç ndodh në çdo amendament.
Ina Rama u emërua nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2007 kur nuk kishte mandat për Kryeprokurorin. Në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që u arritën falë marrëveshjes Rama-Berisha, Prokurorit të Përgjithshëm iu vu mandati 5-vjeçar.
Një grup i rëndësishëm juristësh, jo thjeshtë të majtë por edhe të pavarur mbrojtën idenë se derisa nuk është përcaktuar me dispozitë, mandati i Ina Ramës mbaron në vitin 2013.
Bujar Nishani, të paktën për të qenë më i paanshëm në këtë debat, duhet të kërkonte mendimin e Gjykatës Kushtetuese, siç bëri edhe për çështjen e vettingut, por edhe për KLD-në apo përplasje të tjera me mazhorancën e majtë, disa vite më vonë.
Kryeprokuror u zgjodh Adriatik Llalla, pa një kandidaturë alternative dhe konsultë me opozitën. Ndërkaq, Nishani u hakmor ndaj Ina Ramës, duke mos emëruar në asnjë post të gjyqësorit, ashtu siç Kushtetuta e sanksionon.
Pas Prokurorit të Përgjithshëm, Nishani shkarkoi Bahri Shaqirin, kreun e Shërbimit Sekret shqiptar, i cili sipas një tradite jo të shkruar që nga koha e Fatos Klosit, ishte një figurë që nuk njihej si besnik i kryeministrit, por një drejtues që është më afër kreut të shtetit.
Ndërsa Presidenti Nishani e prishi këtë traditë, duke zgjedhur këshilltarin e Berishës, Visho Ajazi Lika, si kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Vjen viti 2013 dhe zgjedhjet i fitojnë Edi Rama dhe Ilir Meta që lidhën koalicion parazgjedhor. Megjithatë në qeveri ishte ende Berisha i cili po përgatitej të bëntë dorëzimet.
Dhe pikërisht në këtë kohë ndodh gjesti më i çuditshëm që bëri Nishani, duke paragjykuar gjithçka.
Ai, si President i Republikës mblodhi të gjithë institucionet e pavarura dhe u bëri thirrje për “qëndresë” pasi në pushtet kishte ardhur një mazhorancë që do të rrëzonte shtetin.
Edi Rama, me të ardhur në qeveri mori një vendim që e kishte paralajmëruar: do të zëvendësonte fotot e kreut të shtetit me atë të Ismail Qemalit, krijuesit të shtetit shqiptar në të gjitha zyrat shtetërore.
Këtë Nishani e mori shumë për keq, duke nisur një sulm frontal.
Vërtetë gjesti i Edi Ramës mund të mos ishte shumë kalorsiak, por fotoja e presidentit të Republikës në zyra është më shumë një atavizëm i vendeve ish-sovjetike sesa një standard që rëndom e sheh nëpër vendet e tjera.
Prej asaj dite Nishani ka vendosur një marrëdhënie antagoniste me mazhorancën e majtë. Ka rrëzuar ligje, kthyer ambasadorë apo edhe emërime të tjera.
Me një fjalë mund të cilësohet si një lloj “prite” institucionale ndaj mazhorancës së madhe të Edi Ramës që mund të binte në vendime të pakontrollueshme.
Por realisht breshëria kundërshtuese e Nishanit nuk se dha ndonjë efekt të veçantë për ta frenuar arrogancën e një mazhorance të madhe.
Madje krijoi një situatë ku Presidenti dhe Qeveria luftonin në trashe të ndryshme jo si pjesë të një shteti, por dy shtete të ndryshme.
Dhe kjo u vu re më shumë se kudo në drejtësi.
Bujar Nishani, si kryetar i KLD-së emëroi në pozicionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve kryesisht njerëz të lidhur me ish-mazhorancën, madhe thënë më troç me klanin e ngushtë të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke krijuar precedentin e një drejtësie që po ecën kundër një pjese të shtetit.
Por realisht drejtësia në Shqipëri kishte dhe ka perceptimin më të rëndë për korruptimin e punonjësve të saj. Dhe Bujar Nishani, si kreu i këtij sistemi nuk bëri asgjë që ta ndryshojë por edhe largoi ata elementë që mund të ndikonin sadopak në zbutjen e imazhit të sistemit të kalbur.
Në vitin 2015, Bujar Nishani refuzoi të dekretoi në Task-Forcën Antikorrupsion me pesë prokurorët e trajnuar në SHBA për të nisur një fazë të fortë të luftës ndaj parave të fshehura të politikanëve dhe tjetërsimit të tyre.
Pikërisht në këtë çast, Presidenti i Republikës u bë edhe një palë edhe me një pjesë të mazhorancës siç është pasardhësi i tij Ilir Meta, me të cilin ka shkuar gjithnjë “grurë”.
Mësohet se mosdekretimin e prokurorëve të Task-Forcës, Nishani e ka bërë edhe me një konsultim me Metën, i cili më pas krijon një marrëdhënie të fortë me Kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Shkurt, reforma në drejtësi do të ishte letër-lakmuesi i Presidentit të Republikës, i cili ka mbajtur anën e asaj pjese të politikës që ishte kundër saj.
Por ajo që ka rënë më shumë në sy tek opinion publik ka qenë shfaqja e hakmarrjes personale e kreut të shtetit, i cili ka një pushtet të madh në duart e tij. Kjo u pa me rastin e Visar Zhitit, i cili kishte qenë ministër i PD-së dhe kandidat për deputet.
Edi Rama, edhe për faktin e një mbështetje njerëzore kur Zhitit i ndodh një fatkeqësi familjare, e emëron si ambasador në Vatikan.
Bujar Nishani nuk e emëron me akuzën se nuk ishte këshilluar Bushati me të, kur kishte rastin që ta jepte një shembull me dekret.
Pas kësaj Zhiti kritikon publikisht kreun e shtetit dhe ky i fundit e quan “spiun burgjesh” duke ushqyer një poelmikë të rëndë dhe jo etike 3 vjeçare. Por Nishani shkoi edhe më larg, ku e paditi në gjyq Visar Zhitin për pjesën civile, pra duke i kërkuar dëmshpërblim.
Shumë komentatorë, si shkak për njëanshmërinë e Bujar Nishanit si President kanë vënë qënien e tij si anëtar i kryesisë së PD-së para zgjedhjes si kryetar shteti.
Po a nuk ishte Rexhep Meidani numri dy i PS-së, dhe u përplas me Fatos Nanon, kryeministrin që e zgjodhi President? Dhe Bamir Topi, nënkryetar i PD-së që gjithashtu u përplas me Sali Berishën-kryeministrin që e zgjodhi në krye të shtetit?
Bujar Nishani, në fjalën e tij u mbrojt me idenë se ka qenë pritë kundër qeverisë. Por, ai do të ishte i besueshëm nëse do ta bëntë këtë rol që në krye të herës, pra të kundërshtonte kryeministrin që e zgjodhi!
Të paktën të bënte si parardhësit./tesheshi.com/