Kur Robert Fico u zgjodh kryeministër vitin e kaluar, Sllovakia filloi në drejtimin e autoritarizmit të ngjashëm me Hungarinë, por pas atentatit ndaj këtij politikani në maj, ka gjithnjë e më pak shanse që kjo të ndryshojë. Për më tepër, gjërat po dalin jashtë kontrollit…
U miratua ligji i ri që vendosi transmetuesin publik RTVS nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, u krye një “spastrim” rigoroz në radhët e policisë, u hoq prokuroria speciale që merrej me korrupsionin politik, u bë një plan i ideuar për të shtypur çdo protestë publike, si dhe financimi për grupet LGBTQ+ është ndërprerë.
Se ku po shkojnë gjërat në Sllovaki u dhanë shenjat që në nëntor 2023, kur ministrja e sapozgjedhur e Kulturës, Martina Shimkoviç u egërsua kur pa një pikturë të artistit sllovak Andrej Dubravski në një ekspozitë ku shfaqen dy burra duke u puthur.
“Kjo kërcënon të ardhmen e fëmijëve në Sllovaki,” tha ajo.
Një argument i ngjashëm për të kufizuar lirinë e shprehjes u përdor në Hungari, një vend me të cilin Sllovakia po krahasohet gjithnjë e më shumë gjatë qeverisë Fico.
“Sa larg mund të shkojnë ata? Përgjigja është: Aq sa të duan,” komentoi Dana Kleinert nga Sllovakia Progresive për The Guardian.
Pas atentatit ndaj kryeministrit sllovak më 15 maj, situata në këtë vend të Evropës Qendrore u përkeqësua edhe më shumë. As qeveria dhe as mjekët nuk donin të jepnin shumë informacion në lidhje me rrethanat e vrasjes dhe shëndetin e Ficos, të cilin aleatët e tij përdorën për të akuzuar opozitën liberale për tentativë vrasjeje. Pak para zgjedhjeve evropiane, Fico publikoi një video-mesazh të shkurtër në të cilin tha se “i fali” të dyshuarit, por vazhdonte të akuzonte opozitën për “politikën e saj agresive plot urrejtje”.
“Ishte vetëm çështje kohe që të ndodhte një tragjedi”, shtoi kryeministri, i cili gjithashtu i quajti armiq disa media.
Disa gazetarë kanë frikë për sigurinë e tyre dhe gazeta liberale Dennik N ka rritur masat e sigurisë për gazetarët e saj kryesorë.
Ministrja e Kulturës Shimkovićova, nga Partia Kombëtare Sllovake e ekstremit të djathtë, punoi si prezantuese në stacionin televiziv Markiza deri në vitin 2015. Ajo u pushua nga puna për tallje me refugjatët sirianë në faqen e saj në Facebook. Ajo e përdori famën e saj për t’u bërë një yll ksenofobik, anti-vaksinim, homofobik dhe pro-rus i mediave sociale dhe përvojën e saj mediatike për të nisur stacionin televiziv ultra-nacionalist online Slovan, fytyra e të cilit është vetë ajo.
Se cilat linja do të përfaqësojë qeveria e re ishte e qartë që në fushatën parazgjedhore. Robert Fico u premtoi votuesve t’i jepte fund ndihmës ushtarake për Ukrainën, sulmoi ashpër NATO-n dhe politikën amerikane dhe kundërshtoi sanksionet kundër Rusisë. Kritika të veçanta u shkaktuan nga deklarata e tij se ai nuk do të dërgonte më “asnjë plumb të vetëm” për të ndihmuar Ukrainën të mbrohej kundër një pushtimi rus. Kështu Fico kënaqi votuesit e djathtë dhe fitoi mandatin e tretë në krye të qeverisë sllovake. Ai mbajti postin e kryeministrit midis 2006 dhe 2010 dhe midis 2012 dhe 2018, kur u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të protestave masive pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kushnirova. Gjatë mandatit të qeverisë së ardhshme, gjykatat dënuan më shumë se 40 persona të lidhur me koalicionin e Robert Ficos, kryesisht për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por emra me aktakuza u gjetën edhe në qeverinë e re.
Në fillim të majit, sllovakët protestuan kundër planeve të qeverisë për të riorganizuar transmetuesin publik RTVS dhe për ta kthyer atë në një institucion të ri mediatik që do të ketë një ndikim më të fortë. Megjithatë, një ligj i ri që e përcakton këtë u miratua së fundmi, me arsyetimin se masa do të “korrigjojë mungesën e objektivitetit”.