Shteti grek ka ndërmarrë sot një veprim që i ngjanë atij të Sali Berishës në vitin 1995, por me akuzën më qesharake, shpërndanin libra të ndaluar. Gjykata e Janinës ka dënuar me 30 muaj “burgim me kusht” për tre vjet dy shoferët e ministrisë së Jashtme shqiptare që shpërndanin libra shqip për fëmijët e shkollave. Dhe kushti është nëse e përsërisin krimin, pra nëse shpërndajnë libra, ndërkohë që kanë ndaluar lëvizjen në hapësirën Shengen për 3 vjet.
Altin Tafa dhe Agim Asllani u mbajtën 33 orë në qelitë e stacionit të Policisë së Athinës dhe më pas kanë dalë pas ndërhyrjes diplomatike. Në bazë të këtij vendimi, dy punonjësit e MPJ-së nuk do të shkelin në vendet Shengen për 30 muaj, ndërkohë që në Greqi do të kenë gjithmonë probleme. Por, nga ana tjetër është bërë një preçedent, që në mënyrë automatike do të ndalojë shpërndarjen e librave për emigrantët shqiptarë.
E gjithë kjo zallamahi, vetëm pasi kanë shpërndarë tekste shkollore për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Sipas prokurorit, librat në gjuhën shqipe që transportonin dy shoferët nuk ishin të ambalazhuara me material diplomatik dhe as të vendosura në kuti. Akuza greke argumentoi se fillimisht u dyshua që shoferët e ministrisë sonë transportonin libra me përmbajtje propagandistike që mund të rrezikonin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Shtatë librat në gjuhën shqipe që ishin të destinuara për komunitetin shqiptar në Athinë, do të konfiskohen nga autoritetet greke. Gjyqi i sotëm në Janinë u ndoq edhe nga një delegacion shqiptar. Drejtori i Shërbimeve Ligjore në Ministrinë e Jashtme shqiptare nuk bëri asnjë koment për shpalljen faktor të Altin Tafës dhe Agim Asllanit. Kurse konsulli shqiptar në Janinë, tha se “si përfaqësues i shtetit shqiptar në Greqi nuk bëj asnjë koment për vendimet e drejtësisë greke”.
Altin Tafa dhe Agim Asllani u arrestuan më 14 nëntor në Janinë teksa po transportonin libra shqiptar, por u lanë të lirë pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare dhe ambasadës sonë në Athinë./tesheshi.com/